“Gjermania ‘mbytet’ në Kazan, Brazili heq qafe serbët. Kështu hapet për sot gazeta e përditshme sportive “Panorama Sport”, ndërkohë që në fokus janë reagimet e Low dhe Tite.
Ka edhe një analizë: “Ja kush e la në baltë Gjermaninë”. Pragndeshja Angli-Belgjikë merr vëmendje, sikurse edhe reagimi i Maradonës për gjendjen e tij shëndetësore.
I veçuar është artikulli për fitoren e Zvicrës dhe festimi i veçantë i Blerim Xhemajlit. Nga bota dënimi i Milanit nga UEFA është përfshirë në faqen e parë, ndërkohë që ka edhe tre lajme nga vendi:
Kotobelli paralajmëron gjyq për pagat e pamarra te Partizani, Superiorja do të transmetohet në Digitalb, ndërkohë që dënimi i Skënderbeut ka bërë që Shqipëria të humbasë paratë që UEFA jep për kampionen e vendit.
Gazeta “Sport Ekspres” hapet me këtë artikull kryesor: “Turp historik, Gjermania jashtë”. Deklarata Hummels, dorëheqja e lajmëruar e Low dhe sulmi që tifozët i kanë bërë Ozil shoqëron lajmin e ditës.
Nga “Rusi 2018” veçohet fitorja e Brazilit me Serbinë, episodi i Sampaoli-t që pyet Messi-n për të zëvendësuar Aguero-n, si dhe ndeshja e ditës, Angli-Belgjikë.
Sigurisht që sot ka marrë vëmendje edhe dënimi i UEFA-s për Milanin, ndërsa nga vendi Kotobelli që qartazi kërkon pagat, ndryshe do të shkojë në gjyq me Partizanin. /EDS/