Zërat e merkatos do jenë të pranishëm deri në përfundimin e saj dhe lëvizjet e futbollistëve do jenë të shumta. Një nga futbollistët që u diskutua ditët e fundit për një rikthim tek Vllaznia ishte edhe Sindrit Guri. Por ishte vetë sulmuesi që i mohoi zërat që i lidhnin me kuqeblutë.

Por ish-sulmuesi edhe i Kukësit nuk mohoi zërat vetëm jashtë fushe, por edhe brenda saj. Kjo pas golit vendimtar që shënoi dje me fanellën e Shkëndijës së Tetovës në turin e parë të Conference League. Shtatlarti realizoi golin e dytë në barazimin 2-2 të kuqezinjëve në ndeshjen e kthimit kundër Ararar Yerevan.

28-vjeçari po përgatit sezonin e tij të dytë rradhazi me ngjyrat e tetovarëve. Dhe duket se golat dhe protagonizmi së fundmi me Shkëndijën shuan çdo zë për Gurin.

Ai do jetë me shumë mundësi edhe këtë sezon sulmuesi kryesor i skuadrës së drejtuar nga Artim Shaqiri. Guri në edicionin e shkuar shënoi 10 gola në kampionat me Shkëndijën, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës.
Endri ÇINARI