Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, foli pas disfatës minimale 1-0 që Shqipëria regjistroi në duelin ndaj Spanjës, i cili ishte i fundit në këtë EURO 2024 për kuqezinjtë. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “TV Klan”, tekniku brazilian ndër të tjera deklaroi:

“Të trishtuar për rezultatin! Dalim me kokën lartë nga ky kompeticion. Ishim në grupin e vdekjes, me yje të mëdhenj që kanë fituar gjithçka. Kemi bërë 3 ndeshje të kënaqshme. Kemi luftuar për çdo ndeshje. Kemi përmirësuar rezultatin, kemi luftuar deri në fund për çdo ndeshje.

Kemi arritur një finish shumë të rëndësishëm, jam i kënaqur me lojtarët. Kemi parë 6-7 lojtarë të rinj në fushë. Edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë, kanë bërë shumë mirë në këto sfida.

Të gjithë mendonin se do të mundeshim me rezultate 3-0 dhe 4-0, por ne në çdo ndeshje kemi qenë aty duke luftuar deri në minutat e fundit.

Dua të falenderoj FSHF, të gjithë njerëzit qe kemi punuar. Kemi në fillim eliminatoret e Nation League, më pas me radhë e rëndësishme është që të vazhdojmë të luajmë dhe të provojmë emocione të tjera, të Europianit ose Botërorit”, u shpreh Silvinjo.