Sindrit Guri doli si një talent në Shkodër, aty ku futbollistët i gjen kudo, në të “katër anët” e qytetit verior. Nuk gjeti shumë hapësira te Vllaznia dhe i është dashur që të luftojë shumë për të ngjitur shkallët e karrierës. Vllaznia, Besa, Kastrioti e Kukësi, aty ku spikati në Superiore e më pas shkoi jashtë, në Belgjikë, ku prej tri sezonesh luan me Ostenden.

Në intervistën për “Fun Zone”, në “Supersport”, Sindrit Guri, tashmë që është në kulmin e karrierës e nis kështu: “Këtu ambientet janë të gjitha të mbyllura, maksimumi mund të dalësh të shëtisësh, nuk është se nuk lejohet. Këtu është e mirë se shfrytëzojmë bregdetin, dal e bëj vrap, njerëzit dalin të shëtisin të qetë e dalin për vrap”.

Djemtë

Sindrit Guri ka dy djem të vegjël dhe i pyetur se a dëshiron t’i bëj sportistë, ka shtuar: “Të jetoja në Shqiëpri nuk do doja të bëhej futbollist, por tani që jetojmë jashtë Shqipërie e kam qejf. Nuk do ia imponoj por një prej dy djemve do të doja ta kisha futbollist”.

Stërvitja

I pyetur se çfarë program stërvitir ndjek, duke qenë se edhe stërvitja dhe kampionati bleg është pezulluar, shkodrani Sindrit Guri ka theksuar: “Që kur na deklaruan nga shteti që nuk mund të bëjmë më stërvitje, po atë ditë kemi marrë programin nga trajneri e përgatitësi që të gjithë të punonim vetëm. Javën e kaluar menduam një tip stërvitje, një trajner me një lojtar, me orare nga 45 minuta që të mund të organizonim diçka se ishte e pamundur.

Atë ditë që isha unë me trajnerin na erdhi policia e na ndaloi. Nuk është e drejtë që të penalizohet klubi, ndaj u ndalëm. Ne shpresojmë që të mbarojë sa më shpejt, nuk e mendonim që në këtë masë të mbylleshim në shtëpi, duket herë pas here si e pamundur por është realiteti e shpresojmë që të mbarojë sa më shpejt”.

Aktivizimi

“Ka qenë eksperiencë e vështirë, të gjithë po prisnin shumë nga unë për shifrën që u bleva. Viti i parë nuk ishte i duhur, ardhja nga Shqipëria ishte e vështirë. Pastaj nuk kisha fatin në vitin e dytë. Shënova në ndeshjen e parë, në të dytën nuk shënova e pastaj në të tretën nuk më aktivizuan më.

I kam kërkuar shpjegim drejtuesve e trajnerit por nuk më kanë dhënë. Jam mërzitur normalisht dhe të shoh në verë. Edhe pse tani është më e vështirë nga koronavirusi, por shpresoj që të gjej diçka të mirë e të lëviz”.

E ardhmja

Ndonëse kanë dal zëra për një rikthim të Gurit në Shqipëri, sulmuesika pohuar se nuk ka dëshirë që ta bëj tani sepse ofertat nuk I kanë munguar, madje kanë qenë të shumta nga kampionatet e njohura në Evropë…”Kthimi në Shqipëri?

Nuk e kam menduar, sepse kam pasur oferta nga ekipe të tjera nga Europa e jashtë saj. Nuk kam lëvizur edhe për shkak të familjes, sepse u bëra baba përsëri, nuk ishte koha e duhur, por ka ardhur momenti të vazhdoj të provoj diçka në Europë. Po nuk pata mundësi, do të qëndroj këtu, pritet që të ndërrohet presidenca, drejtuesit, edhe trajneri. Të shohim deri në verë se çfarë do të bëhet, por për momentin nuk e mendoj kthimin në Shqipëri”.

Superiorja

“Kam ndjekur ndeshjet e rëndësishme, kam parë derbin, Kukësin e kam ndjekur vazhdimisht, por Tirana ka kapur një formë të mirë. Prisja që kukësi të dominonte, por Tirana është shumë mirë. Kampionati u bë shumë i bukur se edhe Skënderbeu ka bërë fitore, po bëhet shumë i bukur. Tirana ka qenë mirë, Kukësi bën volum loje dhe ka lojtarë të mirë, do të jetë e vështirë që Tirana të mbajë këtë ritëm deri në fund”, – tha Guri në fund të fjalës së tij.