Nëse dikush ka menduar se pas humbjeve me Kukësin dhe Tiranën, Vllaznina duhej të bënte “kokë turku” trajnerin Brdariç, gabohet. I këtij mendimi është opinionisti i njohur Gëzim Sinemati i cili në emisionin “Procesi Sportiv” i ka bërë një analizë ecurisë së skuadrës shkodrane deri më tani.

“Më shumë më duket mediatike çështja e largimit të trajnerit te Vllaznia, sesa mund të jetë në të vërtetë. Ka dy variante për Vllazninë e cila ose do të jetë e bukur dhe do ta shoqërojë këtë me rezultat, ose shëmtohet dhe nuk e kap dot rezultatin.

Ajo është një ekip që nuk është përgatitur ashtu si duhet për lojë. Nuk është përgatitur për të reaguar kur pëson gol dhe më duket se gjithmonë deformohet.

E pyetëm para dy javësh Zmijanin për Liridon Latifin dhe tha se nuk ka vazhdimësi. Kjo është e vërtetë dhe ai një ditë shkëlqen dhe një ditë tjetër nuk bie në sy. Po ashtu është edhe Vllaznia e sivjetme.

Vllaznia vetë nuk është po kaq e qëndrueshme dhe nuk mund t’ia bësh gjykimin vetëm teknik. Aty diçka ndodh. Edhe vjet pati një moment kur për disa javë rrëshqitën dhe nuk i ngjanë as vetes së vet. Kështu që nuk mund të marrësh dot shpjegime vetëm nga jashtë. Duhen shpjegime edhe nga brenda. Nuk flet as Partizani se çfarë ndodh.

Lajmet që dalin se Brdariç rrezikohet nuk janë aspak dinjitoze. Ai është i fundit që duhet të rrezikohet. Edhe paraqitja e sezonit të kaluar meritë e tij është. Vllaznia ka dy vjet me këtë trajner dhe loja e bukur e saj është vitrinë e tij.

Nuk duhet bërë një paralelizëm në mes një largimi të mundshëm të Dajës nga Partizani dhe Brdariç nga Vllaznia. Ky i fundit as që duhet diskutuar për një temë të tillë dhe nuk ka as pse ta marrim nëpër gojë”./SHKODRA-SPORT.COM/