Sezonin e kaluar, Vllaznia ishte ndër surprizat më të bukura të kampionatit, me lojën në fushë dhe rezultatet e koleksionuara, duke qenë madje edhe pretendent deri në fund për fitimin e titullit kampion. Edhe këtë sezon aktual, shkodranët u futën me këtë synim. Megjithatë, pak e nga pak, nga java në javë, duket se “tollumbacja” u shfry rrugës, me rezultatet që kanë ardhur gjithnjë e në rënie.
Ndoshta, “vulën” ia vuri pikërisht ndeshja me Tiranën në Shkodër, me shkodranët që morën një humbje, që komplikoi jo pak objektivat për Europën. Fakti që skuadra në tetë ndeshjet e fundit ka koleksionuar vetëm një fitore, atë përballë Dinamos, tregon se as ndryshimi i trajnerit nuk ishte fort pozitiv.
Burime të besueshme të “Shkodra Sport”, pohojnë se në klub ka pakënaqësi nga ana e lojtarëve për shkak edhe të pagave të prapambetura, duke pasur dhe sjellur në njëfarë mënyre edhe pështjellim te vetë lojtarët.
Shumë lojtarë nuk po japin maksimumin në fushë, duke u penalizuar në fund Vllaznia dhe një qytet i tërë, siç është Shkodra. Janë bërë disa situata të dyshimta në klub, që kanë sjellë në heshtje pakënaqësitë e lojtarëve, të cilët janë bërë “lëmsh”.
Rasti më tipik ishte ai i Fallou Diagne, i cili zhvilloi shumë paraqitje pozitive me klubin shkodran, por duke sjellë në fund edhe ndërprerjen e kontratës në mes, pasi më herët u spostua në formacionin e dytë, gjë të cilën ai nuk e pranoi dhe u largua.
Klubi i Vllaznisë nuk e ka pranuar ende publikisht me një komunikatë zyrtare largimin e mbrojtësit, por prej ditësh futbollisti senegalez nuk po stërvitet më me skuadrën dhe madje është larguar fare edhe nga Shkodra.
Maringlen ZHIVANI