Kthimi i Zinedin Zidan në radhët e Real Madrid po shoqërohet me probleme të shtrima dhe shkaktarë për këtë janë lojtarët të cilët e ndjejnë veten jashtë planeve të trajnerit francez.
Ky i fundit është kthyer me “shpatë në dorë” për të bërë spastrime mes elementëve që i cilëson të panevojshëm, por ende nuk ka gjetur një sistemim për emra si Bejl e Hames të cilët janë kthyer në një problem real për klimën në klub.
Sipas emisionit “El Chiringuito”, tashmë grupi i lojtarëve është i ndarë mes Zidan e lojtarëve të grupit të vjetër nga një anë dhe të rinjtë e ata që janë jashtë planeve të klubit në anën tjetër, pasi trajneri nuk preferon as shumë emra që janë afruar nga Lepetegui e Solari.
Situata është shumë e rënduar duke llogaritur që ekipi po bëhet gati të nisë sezonin e ri mes shumë paqartësish. Rebelët udhëhiqen nga Bejl e Hames, të cilët ashtu si të tjerët e cilësojnë të pavend qëndrimin e Zidan për t’i lënë jashtë planeve pa u dhënë një shpjegim të qartë.
“El Chiringuito” bëri të ditur se nëse situata nuk ndryshon shpejt, ky sezon i Realit rrezikon të kthehet në një makth edhe më të madh se ai i kaluari. /vipsport/