Vllaznia u mposht në javën e 7-të të Superiores me rezultatin 1-2 kundër Partizanit. Kuqeblutë u përmbysën nga kryeqytetasit dhe kjo ka lënë një shije të hidhur në kampi shkodran, por edhe në mbarë ambientin e futbollit në qytet. Duket se skuadra nuk po kalon një moment të mirë.
Dhe për këtë të gjithë janë të shqetësuar. Por koha ndoshta edhe për tu qetësuar psikologjikisht nuk premton për ekipin e Joses. Kjo pasi skuadra do rikthehet në fushë në mesjavë, për ndeshjen e kupës. Kundërshtar në Shkodër do jetë Flamurtari, ku vlonjatët i mposhtën kuqeblutë me rezultatin 2-1 para dy javësh në Vlorë.
E në një moment ku një ndeshje kupe mund të shërbejë për “relaksim” dhe për të motivuar skuadrën, tashmë Vllaznisë i lind detyra vetëm për fitore. Kjo për të arritur kualifkimin në raundin tjetër të kompeticionit. Me siguri edhe ekipi nuk do ketë një rotacion shumë të madh, pavarësisht se mund të ketë minuta për disa nga lojtarët e stolit.
Flamurtari pavarësisht se është një skuadër e Kategorisë së Parë këtë sezon, shfaqi një futboll shumë cilësor në takimin e parë. Diferencat mes ekipeve patjetër që ekzistojnë, por tek Vllaznia nuk ka asnjë shenjë nën vlerësimi për këtë duel. Pasi çdo gjë do komplikohej në rast të një dështimi.
Endri ÇINARI