Dje u vendosën dy finalistët e Kupës së Shqipërisë. Laçi mposhti Teutën, ndërsa Vllaznia eleminoi Partizanin pas goditjes së penalltive. Janë laçjanët dhe shkodranët dy finalistët që do vendosin fituesin e Kupës, por dhe njërin prej klubeve që shkon në Europë.
Vllaznia e sheh veten në vend të pestë pas 28 javësh dhe Kupa i nevojitet si shpëtim sezoni, por dhe për të siguruar Europën. Kuqeblutë e nisën sezonin me objektiv titullin kampion, por llogaritë u prishën gjatë rrugëtimit. Nëse Vllaznia shkon në finale si vend i katërt nga kampionati, atëherë katërshja e Europës nga Shqipëria është vendosur.
Llogaritë janë ndryshe te Laçi, që ka bërë një sezon pozitiv dhe ka komoditetin të luajë me qetësi. Vendi i dytë në kampionat e çon në Europë. Nëse Laçi do fitojë Kupën e Shqipërisë, atëherë është vendi i katërt nga kampionati që shkon në Europë. Për momentin është Partizani.
Pra të kuqtë varen nga djemtë e Duros, nëse do arrijnë të ruajnë vendin e katërt. Po arritën të kapin vendin e tretë, atëherë është Kukësi që futet në vallen e Partizanit. Sezoni po futet në një fazë shumë të nxehtë të tij./newsport/