Kategoria Superiore nuk ka nisur ende, ndërsa Liga Profesioniste pret plotësimin e 4 kushteve nga qeveria në lidhje me Ligjin e Sponsorizimeve. Përgjigjet deri më tani kanë qenë negative e në formë proteste të gjitha klubet e elitës kanë bojkotuar aktivitetin sportiv.

Nuk ka një afat se deri kur do të vijojë kjo protestë, ndërsa në Federatën Shqiptare të Futbollit ekzistojnë disa skenare. Është paralajmëruar se do të ketë përshkallëzime nëse qeveria s’do të marrë masat, por siç shihet gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët. Presidentët e klubeve janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj kauze.

Burime jozyrtare në FSHF tregojnë për newsport.al se po mendohet edhe një opsion i fundit. Kategoria Superiore të startojë në muajin janar dhe të bëhet me 3 faza ashtu sikurse është Kategoria e Parë.

Në dy fazat e para, skuadrat do të luajnë me ndeshje kthimi, ndërsa në të tretën, 5 ekipet më të mira përballen me njëri-tjetrin, ndërsa 5 të dytat së bashku. Një skenar që duhet theksuar se është thjesht një ide dhe asgjë zyrtare.

Megjithatë kjo ka kosto financiare për të gjitha klubet pasi lojtarët kanë firmosur dhe sipas kontratës u duhet të shlyhen nga punëdhënësit e tyre. Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në kampionatin shqiptar, teksa kjo javë do të ishte e 5-ta e Kategorisë Superiore./newsport/