Skënderbeu është bërë skuadër “autoshkollë” për gjyqtarët e rinj, që të “mësojnë dorën” në Superiore. Kjo dukej qartësisht sot kur gjyqtari Hermal Llapra i dhuroi fitoren Luftëtarit me një penallti absurde, të cilën vetëm ai e pa si të tillë.
Nuk bëhej fjalë për një faull, apo ndërhyrje që mund të linte vend për diskutim. Bëhej fjalë për një devijim me kokë të cilin gjyqtari kryesor, i cili rrallëherë shihet në elitën e futbollit shqiptar, e dha si prekje topi me dorë, për të vulosur fatin e një takimi i cili deri atëherë kishte qenë shumë i bukur, por u njollos nga “xhaketa e zezë”.
Takimi nisi me vrull me të dy ekipet që nuk menduan për t’u mbrjtur, por për të shënuar dhe ngacmuar portën kundërshtare. Takimi u zhbllokua në minutën e 10′ nga shtatshkurtri Bregu. Vlonjati mori një top brenda zonës dhe me një goditje e pushon në rrjetë falë devijimit të një prej futbollistëve kundërshtarë.
Kundërpërgjigjja e miqve nuk vonoi, pasi vetëm në aksion pasardhës Demo barazoi shifrat në 1-1. Një goditje nga jashtë zone që gjeti të papërgatitur portierin Aldo Teqja. Një goditje pa shumë pretendime që përfundon në rrjetë.
Kapiteni Marko Radas i dha avantazhin miqve në minutën e 18′. Ai devijoi një top duke e shtyrë drejt rrjetës së tij. Kroati nuk arriti ta largonte nga zona topin e ardhur nga krahu i djathtë i fushës, por i dha avantazhin Luftëtarit në 1-2.
Sfida vazhdoi të ishte e shpejtë dhe e zjarrtë, pasi baraspesha u arrit me një gol fantastik nga Dejvi Bregu. Shtatshkurtri mori përsipër një goditje dënimi nga një distancë prej 20 metrash. Goditja e tij la në vend portieri kundërshtar dhe barazoi shifrat në 2-2 në minutën e 25′. Me këtë rezultat u mbyll dhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë janë vendasit që futen më agresiv në fushë dhe tentojnë të gjejnë golin e fitores. Tentativat e Bregut gjejnë një mbrojtje të hekurt mbrapa. Gjirokastritët u munduan që të shohin përpara me kundërsulme. Ritmi i takimit ishte i lartë dhe me aksione nga të dy krahët, çuditërisht, ndryshe nga ndeshjet e tjera, loja efektive ishte më e lartë me lojtarët që dhuruan më shumë futboll.
Takimi u vendos në minutën e 84′ kur gjyqtari Hermal Llapra mendoi të zgjidhte ndeshjen. Një nga futbollistët e Skënderbeut gjuan brenda zonës, mbrojtësi Sambou e largon topin me kokë, por “bilbili i ndeshjes” drejton dorën drejt penalltisë. Mbrojtësi afrikan ndëshkohet me të vershë, por vendimi është më qesharak kur sheh që afrikani i kishte duart të lidhura pas vetes. Shkurtaj merr përsipër ekzekutimin e 11 metërshit dhe mposht Teqjan për 2-3. Deri në fund, korçarët nuk arritën të ndryshonin asgjë. Me këtë fitore, Luftëtari kalon Tiranën dhe shkon në vendin e 7. Skënderbeu bie në vendin e 4 duke vazhduar krizën.