Kur tematika më e nxehtë në Shkodër është zgjedhja e trajnerit të ri të Vllaznisë, nuk ka sesi të mos lakohen emrat nga më të ndryshëm. Kështu, sipas disa sondazheve të zhvilluara edhe nga “Shkodra Sport”, Armando Cungu dhe Thomas Brdariç janë dyshja më e preferuar nga tifozëria e Vllaznisë, për të drejtuar ekipin e tyre të zemrës në vazhdim.

Sigurisht, emrat për trajnerë dhe situata që është momentalisht në Shkodër, nuk ka sesi të mos jetë në vëmendjen e njërit prej emrave të njohur që ka luajtur më parë me Vllazninë, pikërisht Skerdi Bejzade.

Në një koment në rrjetet sociale, Bejzade shkruan se rikthimi mbrapa, në këtë rast me Brdariç, nuk është asnjëherë i suksesshëm, teksa thotë se emri tjetër që po lakohet, Armando Cungu, ka më autoritet për të drejtuar ekipin kuqeblu.

“Rikthimi mbrapa nuk është asnjëherë i suksesshëm. Për mua, Cungu e njeh më mirë ekipin dhe besoj se ka më shumë autoritet. Brdariçit ia kanë “pirë lëngun” me sa kam parë unë.

Kur të bëjnë ashtu futbollistët, njëri merrte penalltinë e gjuante, tjetri kur e ndërronte gati sa nuk ia fuste shpullë”,-shkruan në një koment në rrjetet sociale, ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë, Skerdi Bejzade, i quajtur ndryshe “Arusha”.
Maringlen ZHIVANI