Shkruar nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se merkato tashmë është e hapur dhe lëvizjet e futbollistëve mund të ndodhin nga momenti në moment deri në fundin e janarit, tek Vllaznia momentalisht duket se gjithçka është e “ngrirë”. Kjo pasi merkato e shkodranëve është ende e bllokuar si pasojë e mos pagesave të disa futbollistëve në sezonet e shkuara. Ku aktualisht kuqeblutë kanë katër çështje të hapura në gjyqet e FIFA-s dhe i vetmi futbollist me të cilin është mbyllur gjithçka me sukses është Marko Juriç.
Në këtë mënyrë edhe pse Vllaznia ka pasur interes për emra me peshë siç janë Kevin Dodaj apo edhe Redon Xhixha, gjithçka ka ngelur vetëm në kuadrin e interesimi dhe marrjes së informacionit për kushtet që duan lojtarët e sipër përmendur.
Pasi aktualisht klubi shkodran nuk mund të bëjë një lëvizje konkrete për të përforcuar skuadrën në merkaton e janarit. Dhe aktualisht duket se në startin e pjesës së dytë të sezonit, 9 herë kampionët e vendit duhet të bazohen tek ata futbollistë që ishin protagonistë në dy fazat e para të Superiores.
Dhe duket se ky fakt realisht nuk duket se shqetëson shumë në rradhët e kuqebluve, që e konsiderojnë grupin aktual të fortë dhe që mund t’a dërgojnë skuadrën drejt sukseseve në fund të edicionit. Por, gjithsesi tek nën kampionët e vendit duan që t’i japin një zgjidhje sa më shpejt këtij bllokimi të merkatos. Kjo ndoshta për të menduar edhe për përforcimin e ekipit për edicionin e ardhshëm e gjthashtu për të shmangur edhe ndonjë sanksion tjetër nga ana e FIFA-s në të ardhmen.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


