Një ndeshje e madhe për t’iu përgjigjur menjëherë emocioneve të forta të Kombëtares. Mesjava e futbollit sjell këtë të enjte Tirana-Dinamo, një derbi plot pasion dhe llogari të freskëta, ndeshje që vlen një biletë për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Dinamo vjen në këtë sfidë e fortë falë fitores 2-0 në sfidën e parë, por njëkohësisht edhe me dëshirën e madhe për revansh pasi vetëm pak ditë pas atij suksesi Tirana e gjunjëzoi 4-0 në kampionat në një sfidë horror për blutë e Bledi Shkëmbit.

Për Dinamon e tij pauza erdhi në momentin e duhur për të qartësuar idetë dhe pse jo asimiluar efektin e asaj disfate ndaj bardhebluve, por mbi të gjitha për të rikuperuar elementë të rëndësishëm, duke nisur nga Sofranac, mungesa e të cilit është ndier jashtëzakonisht në mbrojtje, një repart që shpesh te Dinamo ka shfaqur probleme me disa ndeshje ku golat e pësuar kanë qenë të shumtë.

Te Tirana ndërkohë Orges Shehit i duhet ti bëjë të tijtë të harrojnë atë sukses të bujshëm në kampionat, këtu llogaritë nisin nga disavantazhi 2-0 dhe bardhebluve do t’ju duhet një përmbysje e madhe për të kaluar turin. Trajneri i 25 herë kampionëve nuk do të ketë në dispozicion Xhixhën që është dëmtuar në stërvitje, si dhe Hoxhallarin e ndëshkuar me karton.

Por ndërkohë për pjesën tjetrën mund të mbështetet te më të mirët në kërkim të një përmbysje të bujshme. Luhet në “Air Albania” në 19.45 duke rritur interesimin dhe komoditetin për ta ndjekur nga afër.