Sot është dita e madhe për Shqipërinë, pasi në Zyrih do të hidhet shorti për “Play Off”-in e Kupës së Botës. Për herë të parë në histori, kuqezinjtë janë kualifikuar në një fazë të tillë të Botërorit dhe natyrisht, në mars do të tentohet për të shkuar edhe më tej dhe pse jo për të provuar edhe eksperiencën e parë në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Amerikë, Kanada e Meksikë.
Shqipëria dhe Kosova janë së bashku në vazon e tretë dhe rivalët e tyre do të jenë nga vazoja e dytë, të cilët janë njohur pas ndeshjeve të fundit, që u luajtën mbrëmjen e së martës. Kështu, Sllovakia, Uellsi, Polonia dhe Republika Çeke janë rivalët e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Shorti do të nisë në orën 13:00 dhe do të jetë në Zyrih.
SHORTI- Të gjitha skuadrat e kualifikuara do të ndahen në 4 vazo, duke nisur nga më favoritet, deri te skuadrat me koeficientin më të ulët, që në letër mund të konsiderohen edhe si më të dobëtat. Ndeshja e parë e Shqipërisë, do të luhet në transfertë duke qenë se Shqipëria përballet me skuadër të vazos së dytë. Nëse Shqipëria arrin të kalojë kundërshtarin e parë, në datën 31 mars do të kenë finalen. Aty do të jetë fitues nga çifti i vazos së parë dhe asaj të katërt. Për stadiumin se ku do të luhet ndeshja e kthimit, do të hidhet short ku edhe do të dihet se cili do të jetë kundërshtari i mundshëm. Ndërkohë, një tjetër ndeshje do të luhet nëse Shqipëria eliminohet. Kuqezinjtë do të kenë një miqësore kundër skuadrës që është eliminuar, pasi ky është rregulli i FIFA-s. Por, si e ka Shqipëria historikun e përballjeve direkte me këto kundërshtarë?
SLLOVAKI- Mund të duket e çuditshme, por kuqezinjtë nuk janë përballur asnjëherë në histori me Sllovakinë. Pavarësisht se është një skuadër Europiane me të cilën mund të kishte ndeshje si në Europian, ashtu edhe në Botëror e Ligën e Kombeve por fati nuk i ka përballur asnjëherë me njëra tjetrën. Sakaq, as federatat nuk kanë pasur mes tyre një marrëveshje për të luajtur miqësore dhe nëse shorti përcakton një ndeshje në Sllovaki, kjo do të ishte hera e parë për skuadrën tonë që do të luante atje, kundër Sllovakëve. Kuqezinjtë, janë përballur në total 5 herë me Çekosllovakinë, nga 1950 deri më 1991, aty ku ka humbur 3 dhe ka fituar 2 të tjera, por këto sfida nuk numërohen direkte me Sllovakinë, siç mund të numërohet kjo e Botërorit. Sllovakia ka bërë mirë në këto kualifikuese dhe aktualisht e sheh veten në vendin e 45-të në klasifikimin e FIFA-s.
UELLS- Kuqezinjtë janë përballur me Uellsin 4 herë në historinë e tyre, nga të cilat 2 kanë qenë ndeshje zyrtare e dy të tjera kanë qenë miqësore. Në përballjet direkte, dy skuadrat nuk kanë dominime duke qenë se 1 fitore në miqësore e ka marrë Shqipëria me rezultatin 1-0, e një fitore në ndeshje zyrtare e ka marrë Uellsi me rezultatin 2-0. Ndërkohë, dy sfida të tjera janë mbyllur në barazim, nga të cilat një në Tiranë në kualifikuese Europiani e një miqësore në Uells. Uellsianët renditen momentalisht në vendin e 44-t në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s i publikuar ditën e djeshme.
REPUBLIKA ÇEKE- Në vitet e fundit, Republika Çeke ka qenë kundërshtari i Shqipërisë si në kualifikueset e Europianit, ashtu edhe në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kanë marrë vetëm 1 fitore në 5 ndeshje direkte mes dy skuadrave, por ajo fitore i dha historinë Shqipërisë duke qenë se për herë të dytë u kualifikuan në Europian. Ndërkohë, 2 ndeshje të tjera i ka fituar Çekia e 1 sfidë tjetër është mbyllur në barazim. Rezultati më i thellë mes dy skuadrave, ka qenë natyrisht fitorja e Shqipërisë me rezultatin 3-0 në tetorin e 2023-shit, ndërkohë që 3-1 ka fituar në miqësore Çekia në vitin 2021. Ndeshja e fundit mes tyre, ishte nëntorin e shkuar në Tiranë dhe u mbyll në barazim pa gola për Ligën e Kombeve. Golaverashi mes tyre është 6-5 për skuadrën e Çekisë, duke pasur kështu Shqipëria një gol më pak. Aktualisht, çekët renditen në vendin e 32-të, duke qenë skuadra e dytë më e fortë në vazon e dytë, për sa i përket renditjes.
POLONIA- Kombëtarja jonë është përballur 15 herë me Poloninë, duke qenë një nga kundërshtarët me të cilët kemi luajtur më së shumti. Natyrisht, është një kundërshtar aspak komod për Shqipërinë, duke parë se në 15 sfidat e luajtura, kemi fituar vetëm 2 prej tyre. Njëra fitore e skuadrës sonë, ka qenë pikërisht në kualifikueset e shkuara kur arritëm të kualifikoheshim në Europian. 10 ndeshje të tjera, i ka fituar Polonia, duke dominuar plotësisht historikun ndaj skuadrës sonë, ndërkohë që 3 ndeshje janë mbyllur në barazim. Fitoren më të thellë në përballjet direkte, e ka Polonia me rezultatin 4-1 në shtatorin e vitit 2021, kur ishin kualifikueset e Botërorit. Ndërkohë, Shqipëria ka arritur të fitojë 2-0 ndaj polakëve në vitin 2023 dhe 2-0 në vitin 1953 në një ndeshje miqësore të zhvilluar. Sa i përket renditjes në FIFA, Polonia e sheh veten në vendin e 31-të në klasifikim, pas ndeshjeve të nëntorit që ka zhvilluar







