Në Shkodër kanë dhënë një kontribut të madh në vite edhe shumë arbitra të cilët kanë lënë pas një emër të mirë. Një prej tyre është edhe Astrit Isufi, një arbitër i cili pasionin për këtë profesion e kishte të trashëguar nga familja e tij.

Astrit Isufi ka sot ditelindjen, feston 62 vjetorin e lindjes dhe me kete rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Ai ka lindur ne Shkoder me 16 shkurt 1960 dhe për të përshkruar me mire karrierën e tij, sot po publikojmë një shkrim që i mirënjohuri Ymer Striniqi ka bërë nëntë vite më parë.

Nga Ymer STRINIQI

Futbollist-trajner- gjyqtar kanë qenë dhe mbeten pjesë përbërese të një trekëndëshi sportiv që ndikojnë aq fort në mbarëvajtjen e një ndeshje sportive.

Veprimet e futbollistëve në fushën e lojës, të kryera me mjeshtri dhe nën drejtimin e trajnerëve të tyre, marrin vlera të pallogaritshme e kënaqin së tepërmi shijet e sportdashësve, kur shkojnë në sinkron të plotë me gjykimet.

Me aftësitë e tyre profesionale, me respektimin e rregullores, paanshmërinë dhe ndershmërinë e tyre, gjyqtarët kanë një rol tepër të rëndësishëm për t’i dhënë auditorëve të stadiumeve notat e spektakleve futbollistike.

Shkrimin e sotëm po ia kushtoj njërit prej tyre, ish-gjyqtarit të njohur Astrit Isufi. Me një karrierë 27 vjeçare në fushën e gjykimit, në fillim si asistent e pastaj kryesor, Isufi bëri hapa të rëndësishëm duke e rreshtuar vehten midis gjyqtarëve më të mirë të vendit tonë.

I pasionuar, studiues, i ndershëm, i qetë, me një staturë fizike për t’u admiruar, spikati shumë shpejt. Por në kulmet e veta, kur meritonte dhe kishte plotësuar kushtet për të marrë stemën e FIFA-s, papritur e largojnë.

“Mbase s’kishte ardhur koha për ta mbyllur aktivitetin, por rrethanat e imponuara nga të tretët, jashtë vullnetit tim, më detyruan të largohem, kur kisha mundësinë të gjykoja edhe 18 muaj”-kujton me keqardhje Astriti.

Ishte kundër kulisave, allishverisheve, duke mos pranuar për asnjë çast të ishte “ushtar i bindur” i qarqeve të ndryshme të Federatës dhe mashë e tyre. Takimi i fundit i gjykuar prej tij ka qenë ai midis Tiranës dhe Lushnjës.

Myzeqarët, falë bujarisë bardheblu fituan 1-0, shpëtuan qëndrimin në kategori dhe “kurban” u bë gjyqtari shkodran.

Numërohen me gishta ato gjyqtarë në Shqipëri që bilbilin e kane “te trasheguar” dhe njeri prej tyre ka qene padyshim Astrit Isufi.

“Femijerine time tregon ai, -per fat te mire e kam kaluar me biseda sportive. Sepse edhe babai im- Xheudeti (shoket dhe miqte e therrisnin Xhoda), fale edhe emrave te medhenj te lakuar si Q.Dervishi, B.Dibra, T.Kalaci, A.Halili, S.Bilali, T.Prela etj, po edhe pasionit tim për të ndjekur babain, por edhe gjyshin, më lindi dëshira e madhe ta vazhdoj dhe kënaqësi te vazhdoj rrugen e tyre. Kam kenaqesise realizova endrren e babait per t’u bere gjyqtar futbolli”- kujton Astriti.

“Sporti, na thotë protagonisti ynë, kultivon dinamizmin, pasionin, forcën e karakterit, miqësisë, vëllazërimit, punën me përkushtim, sakrificë, vlerësim dhe kënaqësi”.

Nga Shkodra në Delvinë është shtrirja gjeografike e gjykimeve të mia. Kurdoherë ndjeva një përgjegjësi të madhe për ta kryer këtë detyrë fisnike, falë edhe emrave që lakova më sipër. Edhe sot, kudo që shkoj, ndjehem komod dhe ndjej një kënaqësi të madhe”.

Astrit Isufi ka gjykuar 396 ndeshje zyrtare në kategori të ndryshme, nga të cilat 150 në kategorinë e parë (sot Superliga) dhe Kupën e Shqipërisë. Këtu përfshin edhe mbresat e paharruara nga ndeshjet ndërkombëtare në Londër, Slloveni, Danimarkë etj.

“Më kujtohet një ndeshje në Përmet, -kujton gjyqtari i njohur, – kur në përfundim të saj i gjithë stadiumi brohoriti për gjykimin tepër korrekt e të ndershëm nga ana jonë”. Ky është një rast që i ka mbetur në mendje prej vitesh dhe që nuk do ta harrojë lehtë.

Në bisedën me të mësojmë se kënaqësia më e madhe e tij ka qenë sadisfaksioni moral që ka fituar. Ndërsa për kohën, ana financiare ka qenë disi “mollë e ndalueme”. Këtë gjë e kanë shijuar më tepër në periudhën e fundit por shumë larg ditëve tona.

Për këtë gjë, Isufi nënvizon: “Problemi financiar është nxitës pozitiv, jo vetëm për futbollistët por edhe për gjyqtarët, për të cilët vazhdojnë kritikat. Jo pse u mungojnë aftësitë e tyre tekniko- profesionale. Por koha është e tillë që lipset më tepër profesionalizëm dhe vlerësim nga FSHF-ja”.

DISA KURIOZITETE TË KARRIERËS SË ASTRIT ISUFIT:

Ka startuar si asistent- gjyqtar në takimin Besa- Dajti në kategorinë e dytë. Kjo ka ndodhur më 3.10.1977. Kavajasit patën fituar 2-1. Kryesor në atë ndeshje ishte Skënder Bilali ndërsa asistentë të tij, babë e bir, Xheudet dhe Astrit Isufi. E rrallë!

Ky ishte takimi i lamtumirës për Xhodën që ia dorëzoi stafetën të birit. *Në një rast të vetëm Astrit Isufi ka gjykuar Vllazninë në një ndeshje ndaj Skënderbeut. Ajo u fitua nga shkodranët 5-3. Ka ndodhur kjo më 09.06.1991.

*Një tjetër kuriozitet: Më 16.12.1995 ka gjykuar ndeshjen Kastrioti- Apolonia. Për shkak të dhunës mbi kundërshtarët dhe gjyqtarët, Isufi që në atë ndeshje ishte kryesor, e ndërpreu ndeshjen në minutën e 35-të të pjesës së parë.

*A ka ndonjë “pishman”. Natyrisht që po dhe prandaj thotë: “Nisur nga përvoja e gjatë, duhej të kisha gjykuar edhe 200 ndeshje të tjera. Dhe kur mendoj se më ka takuar vetëm një herë të gjykoj derbin Partizani- Dinamo, (kjo vitin 2003), sigurisht që më vjen keq…”.