Liridon Latifi me sa duket po kthehet në versionin, që të gjithë kanë pritur. Jo vetëm golat, por edhe paraqitja ndaj Teutës, me të drejtë i dhanë atij vlera të mëdha, sidomos nga ana e sportdashësve shkodranë, të cilët vazhdojnë ta mbështesin dhe të besojnë te vlerat e tij.

Sipas Latifit, Vllaznia e toleroi shumë Teutën pas rezultatit 3-0 dhe se Vllaznia do të kërkojë Kupat e Europës si nga kampionati, po ashtu edhe nga Kupa. Në intervistën për “Panorama Sport”, Latifi bëri një koment edhe për ndeshjen ndaj Partizanit të shtunën në orën 16:45 në stadiumin “Air Albania”.


Jeni i kënaqur me dygolëshin dhe lojën ndaj Teutës?

Po, ishin gola shumë të bukur dhe të vlefshëm për ekipin. Por, edhe me golat e shënuar nga djemtë e tjerë, pasi të gjithë ndihmuan në arritjen e këtyre tri pikëve.

Është kjo forma më e mirë e Latifit?

Kam filluar që ta ndiej veten shumë më mirë dhe të jem edhe më mirë në të kaluarën.


Keni ndonjë dedikim për golat ndaj Teutës?

Po, ka qenë pikërisht dje 3- vjetori i humbjes së gjyshit tim, personit që më ka qëndruar pranë dhe ka qenë ai, që më ka inspiruar dhe ka qenë fansi im kryesor. Këto gola ia e dedikoj tërësisht atij.

Ju duket i vështirë titulli kampion?

Të jem realist, po. Të them të drejtën, Tirana është shkëputur shumë, por për ne ka rëndësi që të shikojmë gjërat takim pas takimi dhe të bëjmë më të mirën në këto ndeshje.


Pas 3-0, çfarë ndodhi me Vllazninë që pësoi dy gola?

Një vetëkënaqësi e skuadrës. Megjithatë, le të na bëhet mësim, sepse nuk duhet që të bëjmë më këto gabime. Kur shkoi rezultati 3-2 mund të bëhej 3-3, te skuadra do të kishte shumë panik dhe do ta kishim të vështirë për ta bërë golin e katërt. Megjithatë, kjo të na bëhet mësim. Shënimi i golit të katërt na dha më shumë besim dhe qetësi për ta fituar këtë përballje.


Më afër Europa nga Kupa apo besoni edhe te kampionati?

Mendoj se ne duhet që të vlerësojmë me kujdes të gjitha ndeshjet. Ne jemi afër edhe në kampionat me vendin e dytë dhe të tretë, prandaj nuk duhet të lëshojmë edhe në kampionat, por t’i marrim përballje pas përballjeje.

Përballë do të jetë këtë javë Partizani, si e shikoni këtë sfidë?

Do të jetë një përballje e vështirë për ne, pasi Partizani ka një skuadër shumë të mirë.

Me çfarë rezultati kënaqet Vllaznia në këtë takim?

Në çdo takim ne kërkojmë maksimumin e pikëve, këtë do të bëjmë edhe ndaj Partizanit.