Reza Parastesh, i njohur gjerësisht si “Messi iranian” për ngjashmërinë e tij me Lionel Messin e Barcelonës, u akuzua së fundi se ka shkuar me 23 gra, duke i mashtruar ato. Ai ka përfunduar në krevat me këto femra, duke pretenduar se ishte vetë Messi (argjentinasi). Pasi akuzat u bënë “virale” në rrjetet sociale, Parastesh mohoi gjithçka dhe tha se ishte i pafajshëm.
Të martën, disa media raportuan se Parastesh e shfrytëzoi këtë avantazh, ngjashmërinë me yllin e Barcelonës, për t’i mashtruar disa femra. Ndërsa ky lajm u përhap si një zjarr, 26-vjeçari dha një intervistë për “Omasport”, ku pretendoi se të tillë zëra janë të rremë: “Lajmi po përhapet në vendet myslimane dhe kjo më duket fatkeqësi. Më duket një sulm i ashpër, sepse në mënyrë të padrejtë po e vendos tërë botën kundër meje. Edhe familja ime ndihet e shokuar, pasi sulmi i popullit ka pasur ndikim të madh”.
Parastesh, që jeton në Teheran dhe është diplomuar për Inxhinieri Urbane, shpërndau më vonë një video, në faqen e tij zyrtare të Instagramit, duke pretenduar se nuk ka kryer ndonjë krim: “Miqtë e mi, një lajm i rremë në lidhje me mua është në “trendin” e mediave sociale. Ato shpifin, kur thonë se unë paskam shkuar me 23 femra, sepse ato mendonin se isha Lionel Messi. Ju lutem mos luani me reputacionin dhe kredibilitetin e njerëzve.
Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për faktin që, nëse këto ishin të vërteta, do të kishte disa ankesa ndaj meje dhe ndjekje penale. Kjo do të ishte një fatkeqësi dhe një turpërim me përmasa ndërkombëtare. Nëse ky lajm do të ishte i vërtetë, unë tani do të ndodhesha në burg. Mos e besoni, nuk është e vërtetë. Unë do të bëj gjithçka për ta luftuar këtë “fake news” ligjërisht dhe për t’u siguruar që emri im të pastrohet”./telesport/