Kapitulli VI

…Për fatin e saj, Kombëtarja e Shqipërisë kishte përballë një shtet që nuk donte të kuptonte. Papritmas, ajo zhduket dhe Shqipëria e Loro Boriçit nuk merr pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror të Meksikës 1970… E ne duhej të mbeteshim te ajo çka publikoi gazeta gjermane “Veizbeten Kurier” mbas 0-0-s së famshme: “Mund të themi se kjo fitore e gjermanëve ishte një nga fitoret më fatmëdha që mund të kenë ekzistuar mbas Luftës së Dytë Botërore. Epërsia e shqiptarëve u duk gjatë gjithë zhvillimit të lojës. Pa dyshim, skuadra shqiptare në këtë ditë duhej të kishte marrë më tepër”.

E pra, çka kishte ndodhur që po ia vetëmbyllnin Shqipërisë dyert kësisoj? Kur mendon mandej se ky ndalim vinte mbas një ndeshjeje që tronditi krejt opinionin e futbollit europian, atëherë gjithçka bëhet edhe më e pajustifikueshme. Për fat, kështu ndodhi: që qysh nga ky 17 dhjetor 1967 e deri te 14 tetori 1970 kur Kombëtarja e Shqipërisë do të dilte përsëri në fushë, tash për Kampionatin Europian, ajo nuk do të luante. E megjithatë…

NGA “BARI 1938” E KAMPIONATET E LUFTËS (’39, ’40, 42) TE “TORINO 1968″…

Përherë e kam përfshirë fitoren me Torinon në më të mëdhatë e futbollit shqiptar. Interesant është se prej shumëkujt ajo ka mbetur si në prapaskenë. Kurrë nuk e kam kuptuar përsenë e këtij nënvlerësimi. E pra, Partizani – Torino 1-0 apo qoftë dhe dy ndeshjet e bashkuara Partizani-Torino 2-3 të Sabah Bizit me shokë mbeten monumentale për futbollin, natyrisht modeste të Shqipërisë. Dhe vetvetiu historia më thotë se ajo është arritur plot 30 vjet mbas ndeshjes “epokale” të Paraluftës, asaj Bari-Sportklub Tirana 0-2.

Sot më duket se te dyja caqet e atij harku kohor 30-vjeçar Bari ’38- Torino ’68, vetvetiu kanë një kuptim të madh historie për zhvillimin, ecurinë e sportit e të futbollit shqiptar. Është një domethënie kuptimplotë e vetë rritjes së këtij futbolli, për të cilin pavarësisht prej mendimit nacionalkomunist të të paditurve, për zhvillimin e tij Italia me instruktorët, trajnerët dhe mbështetjen e saj, kishte dhënë aq fort.

Kështu, edhe me organizimin e zhvillimin e tre Kampionateve Kombëtare të periudhës së Luftës (1939, 1940, 1942). Pa zhvillimin, e të cilëve kurrë Shqipëria nuk do të kishte hyrë aq bukur te Paslufta, teksa thuajse rrufeshëm, më 1946, të shpallej Kampione e Ballkanit me një skuadër e përbërë nga Begeja, Biçaku, Boriçi, Demneri, Dibra, Fagu, Fakja, F.Janku, Llambi, Parapani, Spahiu, Teliti – të gjithë lojtarë të këtyre tre Kampionateve! Në Ballkaniadë do të mungonin vetëm dy: Lushta e Kryeziu.

I kishte rrëmbyer Juventusi dhe Roma! Natyrisht, as ideatorët e miratuesit e këtyre kampionateve, një Shevqet Vërlaci e një Mustafa Kruja apo një Eqrem Vlora në konkretizim, nuk mund të parashikonin se vetëm katër vjet më vonë këta djem, të formuar edhe prej nxitjes së tyre, do të shpalleshin Kampionë të Ballkanit. Tjetër punë e mëvonshme mandej, kur do të vinte një kohë, tash në një regjim diktature, që drejt me e thënë, duke parë rëndësinë e madhe edhe në interes të politikës, ajo kohë pra, po përpiqej jo pak ta fuqizonte futbollin. Mbas kaq vitesh, Torino 1968 e Sabah Bizit me shokë do të ishte vërtet kuptimplote.

Kësisoj, do të ndodhte që në Tiranë të mposhtej fituesja e Kupës së Italisë! As ëndërrimtari më optimist i Barit 1938 nuk do ta sendërtonte me mend një kësisoj ngjarjeje. Qoftë edhe mbas 30 vjetëve. Këto radhë të këtushme, si në një intermexo, janë pra, një kujtesë e shpejtë, e domosdoshme. Disa të mjerë kujtojnë se Kampionatet Kombëtare 1939, 1940, 1942, të cilëve iu kam kushtuar një libër të posaçëm, kanë qenë lojëra fëmijësh apo që paskan marrë pjesë jo shqiptarë të vërtetë, por “fashistë të Mbretërisë Italiane”.

Harrojnë se shumica prej atyre futbollistëve të ’39, ’40 dhe ’42 kanë qenë madje kundërfashistë me veprimtari dhe deri dëshmorë si Rusi, Myzeqari, Visha, Sallata, të cilët, mbasi luajtën në këto kampionate, dhanë jetën për Shqipërinë. Pa harruar ndërkaq, se Kampionati i vitit 1942 qe një Kampionat Mbarëkombëtar me Prishtinë, Pejë e Prizren madje. Nuk kemi punë me mjeranët e të paditurit e vetësigurtë mû në padije, sepse përveç të tjerave, janë shumë të vegjël e të pafuqishëm për të përmbysur një histori që është aty e paprekshme.

Pra, edhe tre Kampionatet Kombëtare të Luftës (1939, 1940, 1942) të cilët sot e bëjnë Sportklub Tiranën 26 herë Kampione dhe Vllazninë e Sabah Bizit 10 herë Kampione. Dhe u kujtoj lexuesve tonë të mençur e largpamës, për të cilët ne i botojmë këto histori si vlera të mëdha të kujtesës kombëtare, se për 45 vjet Regjimi Komunist i Shqipërisë mohoi edhe 7 Kampionatet Kombëtare të viteve ’30. Mirëpo, ata aty ishin, edhe pse ishin zhdukur prej dokumentacionit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ka ndodhur që pikërisht në zyrat e saj mbërrinin dokumente të FIFA-s ku përfshiheshin edhe 7 Kampionatet e viteve ’30. I kam parë me sytë e mi. Por nuk kam pse mburrem as unë si gazetar, teksa isha nënshtruar si të tjerë. Tjetër punë, që për fatin e të qenunit kryeredaktor i “Sportit Popullor” i shpalosa qysh më 1990 dhe më mbas iu kushtova në disa vëllime librat e mi… Dhe vetëm kaq me këtë digresion historie. U bë shkas ky libër kushtuar futbollit të Sabah Bizit e shokëve të tij edhe për këto radhë gjithsesi aktuale. Dihet, gjithmonë tregimi i historisë së një protagonisti të çon te histori të tjera. Kurrë historia e një njeriu nuk është vetëm për të. Ksisoj, me modesti mendoj se kjo është dhe universalja e këtij libri. Në këtë mënyrë Bari ’30 i Riza Lushtës e Naim Kryeziut, vetvetiu lidhet përmes një 30-vjetori me Partizanin ’68 të Lin Shllakut, Panajot Panos e Sabah Bizit…

MBËRRIN VITI I “ÇUDITSHËM”

1968 Më 9 shtator 1964, Loro Boriçi me Partizanin e tij i kishte marrë futbollit të Gjermanisë një barazim tjetër madhështor për Kupën e Kampioneve të Europës, po 0-0 me kampionen e saj 1FC Köln. Dhe dihet se pikërisht në kulme të sulmojnë kundërshtarët e pabarabartë në aftësi. Çka do t’i ndodhte për disa vite edhe Loro Boriçit. Duke gjykuar sot mbas 50 e ma vjetëve, them se Loro Boriçi me Shqipërinë 1967 të Gjermanisë provoi se edhe me lojtarë të futbollit të Shqipërisë së izoluar, pa yje shqiptaro-europianë, siç ndërtohet Kombëtarja sot, Shqipëria edhe pse e vogël mund të befasojë.

Kështu kishim hyrë në vitin 1968… Çfarë bënte Bizi në këtë mes? Ai luante futbollin e tij më origjinal se kurrënjiherë. Sabah Bizi tashmâ, ashtu siç kam treguar në kapitujt e tjerë të këtij libri, për veç dy fanellave, atë të Kombëtares dhe të Vllaznisë së tij, kishte veshur edhe fanellën e Partizanit për ndeshje ndërkombëtare të Kupës Ballkanike. Ndoshta asnjë 18-19 vjeçar në historinë e futbollit shqiptar të deri asokohe,nuk ishte shfaqur me këtë larmi ndërkombëtare.

Vështroni këtë përmbledhje të shpejtë të deri atij shtatori 1968, kur Sabah Bizi ka qenë titullar i palëvizshëm: RFGJ-Shqipëria 6-0, JugosllaviaShqipëria 4-0, Shqipëria-RFGJ 0-0, Shqipëria-Kina 2-1 (të rinjtë), Vllaznia-Të Rinjtë e Kinës 0-0, Partizani-UTA 2-0, Vllaznia-UTA 5-0, Tirana-Jiul i Petroshanit 1-0, Vllaznia-Jiul 2-0, Tirana-Jiul 1-0, Shqipëria-Bullgaria 2-0 (olimpiket), Jiul-Vllaznia 1-1, Minerul Baja Mare-Vllaznia 5-3, Partizani-Fenerbahçe 2-0, Fenerbahçe-Partizani 3- 2, Izmir-Partizani 0-2, Vllaznia-Beroe 4-0, Beroe-Vllaznia 2-0, Vllaznia-Gencerlbirligi 1-0, Gencerbirligi-Vllaznia 1-1, Vllaznia-Farul 2-1, Farul-Vllaznia 2-1.

Në të gjitha këto ndeshje ndërkombëtare të rangjeve – e vlerave të ndryshme doemos – është edhe 19- vjeçari Sabah Bizi, prej të cilave janë plot 12 ndeshje të fituara! Kështu mbërrijmë te shtatori 1968, pa u mbushur viti i së famshmes 0-0 me Gjermaninë. Dhe çudia e madhe: i gjithë ky vit 1968 për krejt futbollin shqiptar ka vetëm 7 ndeshje ndërkombëtare, kuptohet, ndeshje klubesh, sepse Kombëtarja nuk ekziston. Sabah Bizi dhe shokët e tij megjithatë janë aty. Shqipëria ka plot 3 vjet që nuk merr pjesë në Kupat e Europës.

Hera e fundit kishin qenë ndeshjet 17 Nëntori-Kilmarnok e Skocisë, 0- 0 e 0-1 për Kupën e Kampioneve të Europës, dy ndeshje krejt normale, madje dinjitoze për kryeqytetasit, kur mendon se përballë tyre kishin qenë kampionë britanikë. Qe vendosë që Shqipëria të marrë pjesë me Partizanin në Kupën e Kupave të Europës. Është e çuditshme për sot të përimtosh sesi ka qenë e mundur që me vetëm 5 ndeshje ndërkombëtare (deri te ndeshjet e Partizani-Torino) të një viti të tanë – sigurisht të një rangu që ishte mesatar – Shqipëria të shkonte aq e fuqishme te një skuadër e nivelit europian siç ishte Torino e Italisë.

Dhe aq e befasueshme është ndërkaq, e gjitha kjo, kur kujton se në 5 ndeshje të vetme ndërkombëtare, të pesta i përkisnin një skuadre të vetme: Vllaznisë së Shkodrës të Sabah Bizit – ndeshje të Kupës Ballkanike, në të cilat skuadra shkodrane kishte fituar 2, kishte humbur 2 dhe kishte barazuar 1. Sigurisht, në të gjitha këto ndeshje Sabah Bizi është aty, madje lojtar i rangut më të parë. Çka, nga ana tjetër, kjo do të thoshte se Partizani shkonte te Torino pa asnjë ndeshje ndërkombëtare, qoftë dhe krejt të thjeshtë.

Ai do të ishte një Partizan, i cili do t’i kërkonte ndihmë mû Vllaznisë së Shkodrës. Ndonëse Sabah Bizi tashmâ, me ndeshjet e Kupës Ballkanike, thuajse ishte bërë lojtar i Partizanit, i cili qetëqetë po punonte për ta rrëmbyer edhe “ligjërisht” përmes Ushtrisë Popullore. Pa mundur të mbante më tej Ramazan Rragmin e sapokthyer në Shkodër, por që gjithnjë për ndeshjet ndërkombëtare ky Partizan do ta kishte pjesë të tij. Ndërkaq, klima e futbollit në Shqipëri dukej disi e ndezur, ashtu si dhe ajo politike, sepse ishim në vitin fatthënë 1968, kur Shqipëria Komuniste nis e ndien një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik pas pushtimit të Çekosllovakisë dhe kur tash edhe zyrtarisht ajo bënte tërheqjen e saj nga Traktati i Varshavës.

Kështu, ndeshja e rrallë e Tiranës merr jetë në një situatë dramatike të vetë Shqipërisë Komuniste, e cila ishte hedhur tashmâ me vrull në krahët e Kinës së Mao Ce Dunit. Vetëm pak ditë më parë, Kuvendi Popullor kishte denoncuar pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë dhe zyrtarisht kishte marrë vendimin për daljen nga Traktati i Varshavës, me të cilin e pakta prej gjashtë vjetësh nuk kishte asnjë marrëdhënie. Mjedisi shqiptar ishte ndërkohë, tejet i politizuar, disi dramatik dhe i frikshëm, sidomos për qeverinë komuniste, tek e cila sulmi i Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë, kishte krijuar një pasiguri të plotë.

Edhe gazeta “Sporti Popullor” është e mbushur numër për numër me shkëmbime telegramesh me Mao Ce Dunin e Çu En Lain, me takime të zjarrta kinezo-shqiptare, me ditirambe për Kinën Popullore, me krijim brigadash ushtarake studentore. Dhe me përgatitje për parada ushtarake natën para Hotel Dajtit, duke krijuar një shqetësim të çuditshëm edhe për gjithë trupën torineze që do të “ankorohej” në të vetmin hotel të pranueshëm të Tiranës, “ajtin” e arkitekturës musoliniane të ndërtuar nga vetë italianët në fillim të viteve ’40, atë që sot, madje prej jo pak vitesh, pa pikë droje, Shqipëria Demokratike e ka shndërruar në gërmadhë!…

KUPA E PARTIZANIT ’68, FALË SELAMI DANIT E ISMET HOXHËS TË VLLAZNISË

Mbërrijmë tash te nderimi i një rasti, qoftë dhe në këtë nënkapitull të rrufeshëm. Për hir të asaj që është më e çmuara: vërtetësia historike. Ndërsa kujtoj se nuk ua kishte marrë mendja as Rragamit e as Bizit se ndeshja e fundit e periudhës së parë të Kampionatit të Shqipërisë, ajo e 21 qershorit 1968, Vllaznia-Labinoti i Elbasanit 4-2, do të ishte e fundit së bashku e tyre nën fanellat e skuadrës shkodrane për më se tri vjetët pasardhës! Në të vërtetë, e fundit do të ishte një ndeshje tjetër, ajo ndërkombëtare në Rumani për Kupën e Ballanit Farul e Kostancës-Vllaznia 2-1 e 1 korrikut 1968, një Vllazni me jo pak, por me plot 6 lojtarë, të cilët nuk ishin të klubit të saj: Dinella, Gjinali, Jorgaqi, A.Mema, Çeço e Zhega – rekord “falsifikimi” në historinë tonë – çka ngjalli një pakënaqësi të madhe në mjedisin e qytetit të Shkodrës.

Dukej si një prishje e Vllaznisë. Portieri i një talenti të pamatë Paulin Ndoja gjithnjë në Skrapar, teksa Partizani do të rrëmbente Selami Danin e Ismet Hoxhën, me të cilët do të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë 1968. Atë kupë që do ta çonte Partizanin te Torino e Kupës së Kupave të Europës. E për çudi, sot e kësaj dite, thuajse nuk ua kemi përmendur Danit e Hoxhës se janë fitues të Kupës së Shqipërisë me Partizanin “e Torinos” ’68, madje duke qenë në role të dorës së parë.

Kështu humbet historia, sidomos kur me të pakkush merret, ose merret ndonjë amator që nuk ka as zotësinë e as talentin t’i hyjë thellë asaj, teksa shkruan më shumë për t’i bërë qejfin dikujt sesa për të bërë mirëfilli histori. Nuk e marr me mend se cila mund të kishte qenë historia e Selami Danit dhe e Ismet Hoxhës te Partizani, të cilët ky i lëshoi aq shpejt, teksa me ta fitoi pra Kupën e Shqipërisë duke shkatërruar mû Vllazninë e shokëve të tyre Sabah Bizi e Ramazan Rrgami me një 4-1 spektakolar.

Sot sa të duket dëfryese kjo finale, po aq mbetet historike: dyshja shkodrane Selami Dani-Ismet Hoxha e Partizanit triumfon 4-1 ndaj dyshes Ramazan Rragami-Sabah Bizi të Vllaznisë e të Kombëtares madje! Ka qenë 10 mars 1968. Në Tiranë. Finale e Kupës së Shqipërisë, dueli Partizani-Vllaznia 4-1.(1) Tre gola të Panajot Panos dhe dyshja Ismet Hoxha-Selami Dani në 11-shin partizanas.. Madje, Ismet Hoxha është dhe kryeshënuesi i krejt edicionit të kësaj Kupe me 7 gola. Për një gjë jam i sigurt, megjithatë: të dy ishin sulmues race, golashënues të lindur, teknikë e taktikë të shquar të sulmit.

Dukej se Partizani i pati rënë shkurt kur mbas pak i largoi asisoj. Dhe as që ia arriti të parashikonte se çfarë suksesi do të arrinte mbas pak kohe dyshja Dani-Hoxha te Vllaznia, teksa me protagonistët e tjerë, shumë shpejt do të ndërronte historinë e Kampionateve të Shqipërisë, duke i sjellë titullin Shkodrës mbas 26 vjetëve… Partizanit ia kishte marrë mendtë Sabah Bizi. Dhe kishte të drejtë. Sidoqoftë, nëse Danin do ta kthejë shpejt në Shkodër e Hoxhën do ta zbresë në Jug për të forcuar skuadrën e Luftëtarit të Gjirokastrës, skuadra ushtarake parashikonte krejt e sigurt se margaritarin, Bizin, nuk do ta lëshonte kurrë më. Në të vërtetë nuk do t’ia arrinte…

17 NËNTORI – KAMPION, VLLAZNIA E BIZIT – SFIDUESE E KRYEQYTETIT

Shtatori 1968 po hynte duke e gjetë Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë në një situatë që po e rikthente 17 Nëntorin te titulli tjetër i Kampionit. Për skuadrën e madhe të kryeqytetit, Sportklub Tiranën e vjetër, ky titull ishte një lloj hakmarrjeje mbas grabitjes të titullit 1967 përmes vendimit absurd që kishte shpallë Kampione Dinamon. Është një nga Kampionatet më tërheqës, plot ndeshje të bukura e interesante për kohën, po aq dhe me një publik që sa vinte e rritej, me diskutime të zjarrta rrugëve, tribunave e bareve të Tiranës.

Ndonëse me një gazetari tejet modeste, natyrisht izoluese prej një Regjimi që assesi nuk mund të pasqyronte si sot gjithë këtë “konflikt” të bukur futbollistik. Sidomos për shkak të shpërthimit të ri të 17 Nëntorit, e cila po bëhej thuajse e paprekshme nën drejtimin e trajnerit të madh për Shqipërinë me emrin e pashlyeshëm Myslym Alla. Pa harruar “djemtë e tij”: Tafaj, Frashëri, Dhales, O.Mema, A.Mema, Kazanxhi, Bytyçi, A.Çela, Bukoviku, Xhaçka, Ishka, Hyka… Teksa për Shkodrën, megjithatë, ky Kampionat kishte edhe një kujtim të bukur: kryeshënuesi i Kampionatit me 19 gola ishte Medin Zhega, edhe pse i Dinamos.

Ai, i cili mbas disa muajve do të kthehej përfundimisht në Shkodër. Kampionati i vitit 1968 do të ishte një kampionat që do të zhvillohej jo me kahun vjeshtë-pranverë, por brenda vitit, në harkun e periudhës 17 mars-15 dhjetor 1968. Dhe me një duel të vetëm, atë të zakonshmin e asokohe: 17 Nëntori-Partizani. Dukej që drama falsifikuese e vitit 1967, sikur i nxit të dyja skuadrat për të treguar mbi të gjitha forcë karakteri, por dhe forcë “inati”. Do të triumfojë 17 Nëntori për vetëm 1 pikë më shumë, 45 me e 44 pikë të Partizanit! (2). Kur 6 pikë mbrapa tyre (38) vjen Dinamo dhe mbas saj Vllaznia (34).

Siç e shihni nga renditja këtu poshtë në faqe, është një Kampionat me 14 skuadra, një Kampionat i vërtetë i skuadrave të qyteteve tradicionalë. Një kampionat me Dinamo, Besën e Kavajës e Labinotin e Elbasanit, me Tomorin e Beratit, Traktorin e Lushnjës e Apoloninë e Fierit. Dhe me në krye Vllazninë e Shkodrës – sot të gjitha këto në Kategorinë e Dytë! Ky është shkatërrimi i sotëm i futbollit kombëtar datuar 2018!… Por, i kthehemi vitit 1068. Ishte viti i konsolidimit përfundimtar të Vllaznisë së Sabah Bizit, rivale e denjë e treshes së kryeqytetit 17 Nëntori-Partizani-Dinamo.

Ishte një kampionat ku roli i Vllaznisë, si e vetmja rivale e kryeqytetit, sa vjen e rritet. Për këtë flet qoftë dhe vlera e madhe e ndeshjeve të saj të përkujtueshme, sidomos dy prej tyre që i dhuruan Kampionatit një epilog krejt dramatik: 17 Nëntor- Vllaznia 1-2 dhe Partizani-Vllaznia 2-2! Dhe kudo Saba Bizi, ai i cili tash, me kthimin e Ramazan Rragamit, përbëjnë dyshen më elegante të Kampionatit, këtë Rragami-Bizi. Ishte pa dyshim dyshja sundimtare e një stili.

Po t’i përimtosh sadopak – të dy përbëjnë dy nga lojtarët më universalë që mund të ketë nxjerrë futbolli shqiptar. Në këtë kohë ata ishin mesfushorë, por mesfushorë, të cilët mund të luanin në çdo rol, në mbrojtje, në sulm, në mesfushë, në organizim, në shënim golash. Dhe me një qetësi psikologjike të rrallë.

Bashkoheshin pra, në një dyshe që të dukej njishe e pashkëputshme. Pa shkuar mandej te teknika e tyre e përkryer, te forca e Rragamit po aq tek atletizmi i Bizit, te pasimi milimetrik i të dyve, përveç të tjerave, bllokues të përhershëm të kundërshtarëve më të fortë, madje duke ia arritur që menjëherë të çliroheshin prej këtij statizmi që shpeshherë kërkon ky lloj mbulimi kundërshtarësh.

E, mandej, për të shpërthyer atje tej, te porta kundërshtare. Natyrisht, nëse ata ishin truri, përreth tyre gjithnjë e më fort po spikasnin emra të tillë të tjerë si Z.Dani, Çapaliku, Gjoni, M.Dedja, Lekaj, Gjergji, Cukali, Çanga, Koçobashi, Rakiqi, Puka… Dhe e vërteta që sapo mbërrinte do të ishte një “ndarje” e tyre, teksa nuk do të ishin edhe për shumë kohë bashkë.

Nuk mund të parashikonim se çka do të mund të ndodhte nëse Bizi nuk do të rrëmbehej prej Partizanit, teksa me rikthimin në Shkodër të Zhegës prej Dinamos, them se Vllaznia nuk do të vononte deri te viti 1972 për t’ia rrëmbyer kurorën kampione treshes së famshme kryeqytetit, kurorë sundimtarësh që kryeqyteti i Shqipërisë e mbante fort mbas vete qysh prej një të katërt shekulli (1946). Tash për tash, ishte vetëm kaq: 17 Nëntori Kampion dhe Vllaznia e Sabah Bizit sfiduese e kryeqytetit.

2….

… Dhe fitorja e parë ndaj “Europës Perëndimore” Dukej që Partizani nuk mund të bënte pa Bizin e Vllaznisë. Trajneri Refik Resmja nuk ka pikë dyshimi: “20- vjeçari Bizi në 11-she!” E, ndoshta pa menduar as vetë se kësisoj do të nxirrte në fushën e lojës një nga 11-shet më të ndritshëm të futbollit shqiptar mû përballë fitueses së Kupës së Italisë, Torino. Para kësaj pjesëmarrjeje, Shqipëria kishte bërë veprimin e saj të parë të tërheqjes nga Kupat e Europës, kur më 1967, ajo nuk kishte pranuar të luante me Kampionen e Gjermanisë, Eintracht i Braunschweigut, çka sot e kësaj dite mbetet një mister i vërtetë.

Ngjarja, të cilën deri më sot jemi marrë një herë, por në një vështrim më tepër kronikal sesa përimtues, ka të bëjë me Dinamon e Tiranës, kampionen artificiale të vitit 1967, e cila u shpall e tillë pa pikë merite, por vetëm për shkak të përjashtimit të pashembullt prej Kampionatit Kombëtar të 17 Nëntorit e Partizanit disa javë para mbarimit të tij! Një kampionat ku titulli ishte siguruar i palëkundshëm për 17 Nëntorin! Askush nuk e ka shpjeguar përsenë e kësaj tërheqjeje europiane, por nën zë u tha se qarqe të caktuara “keqdashëse” për Shqipërinë Socialiste në Europë, po studionin mundësinë e mospranimit të mëpastajmë të Dinamos, sepse ajo ishte një kampione e papranueshme për kancelaritë europiane të futbollit, përderisa ishte paracaktuar si e tillë me një vendim të paprecedent tryeze në historinë e futbollit botëror: përjashtim nga Kampionati i Kampiones së siguruar 17 Nëntori!

Kjo për gjoja një incident të futbollistëve të saj me ata të rivales Partizani pak javë para mbarimit të Kampionatit! Nuk jemi marrë sa duhet me vërtetësinë apo pavërtetësinë e këtij Kampionati 1967… E, shpresoj të merremi … Qëndrojmë te 1968-ta. Klima e futbollit dukej disi e ndezur, ashtu si dhe ajo politike. Ngjarja i përket 18 shtatorit 1968 me vendndodhje stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Kupa e Kupave të Europës. Partizani-Torino e Italisë 1-0! Kjo është fitorja e parë e madhe e futbollit të Shqipërisë në një garë europiane. Kësisoj, edhe fitorja e parë e Shqipërisë kundër një skuadre perëndimore në ndeshjet e Kupave të Europës, e për nderin e futbollit tonë, ajo është fitore ndaj një prej skuadrave më të lavdishme të vetë Europës, siç ishte Torino – legjendar i viteve ’40, i shuar prej katastrofës së Superga-s – deri asokohe 6 herë Kampion i Italisë (1928, 1943, 1946, 1947, 1948, 1949) dhe 3 herë fitues i Kupës Kombëtare (1936, 1943, 1968). Torino 1968 përbën ndërkaq, ndeshjen e parë të Shqipërisë në Kupën e Kupave të Europës.

Torino ishte fituesja e Kupës së Italisë dhe lojtarët e Kombëtares së Italisë, Vieri, Puia, Poletti, Agropi, sidomos kampioni i Europës, Ferrini, si dhe francezi i mirënjohur Nestor Combin i Kombëtares së Francës – përbënin një gjashtëshe të një kalibri që sillte në Kupën e Kupave një Torino të fortë, për më tepër përfaqësuese e një vendi si Italia, e cila vetëm tre muaj më parë, saktësisht më 10 qershor 1968, mbas dy ndeshjeve dramatike 1-1 dhe 2-0 me Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit, ishte shpallë Kampione e Europës.

Doemos, duke “i marrë paksa leje” edhe Shqipërisë, e cila me barazimin 0-0 me Gjermaninë, ua kishte lehtësuar kualifikimin jugosllavëve për të shkuar në finalet e Italisë. Në orën 15.30 të 18 shtatorit 1968, rreth 30.000 shikues, siç u njoftua se ishin, Partizani nis dhe interpreton mrekullinë e tij, atë që prej kohësh e kam pasë përcaktuar si “perla e futbollit shqiptar”.

Ngjyrat e kuqe të fanellave të Torinos, e detyrojnë skuadrën me emrin luftarak “Partizani”, që të zbresë në fushë me kostumin e bardhë – në të vërtetë ai ishte kostumi rezervë i Kombëtares së Shqipërisë – çka vërtetohet edhe nga stema e Republikës e mbajtur jashtë çdo protokolli mbi fanellë! Edhe ky fakt “i rastësishëm” “nacionalkomunist” të duket se hynte në gjeopolitikën e futbollit shqiptar ’68. “Futbollistët tanë luajtën me patriotizëm, vendosmëri dhe shpirt luftarak”, është titulli i politizuar deri në skaj pra, sikur të ishte fjala për një luftë, jo për një ndeshje.

Askush dhe asgjë nuk mund t’i shpëtonte stilit të situatës “luftarake” shqiptare që përjetonte i gjithë vendi në pritje të një sulmi të mundshëm sovjetik, çka gjithsesi dukej që ishte një utopi. Shqipërinë e kishin harruar. Do ta kujtonte tejet kjo ndeshje e Sabah Bizit me shokë, në mënyrën e vet sportive. “Kujtova se nisi lufta, por të nesërmen kam përjetuar një ndeshje të frikshme, kam shijuar një ‘libero’ të rangut europian (Spiro Gjika), një kapiten stoik (Lin Shllaku) dhe një organizim të përsosur në mesfushë (Sabah Bizi – Ramazan Rragami)”, siç do të shkruante një gazetar i vjetër italian mbas ndeshjes, duke i dhënë edhe ai jo pak ngjyra “lufte” mjedisit të rënduar shqiptar, teksa provat e një nate më parë për një paradë ushtarake demonstrimi, me sa duket, e kishin lënë pa gjumë. Kështu pra, jashtë këtij konteksti politik, Partizani i Shqipërisë ka zhvilluar ndeshjen e madhe të vlerave të larta thjesht teknike.

E luajtur në sulm të vazhdueshëm, të një shpejtësie të papërmbajtshme, plot gjuajtje e raste që do të çonin te goli historik i Pëllumb Shaqirit në minutën e 46-të, fituesja e Kupës së Shqipërisë pikërisht në pjesën e dytë ka treguar pjekurinë taktike të një stili europian. Trajneri Edmondo Fabri, më parë trajner i Kombëtares italiane, pohonte pa mëdyshje:

“Ne erdhëm në Shqipëri plot shpresa se do të ktheheshim në vendin tonë me fitore. Kjo bindje u trondit nga zhvillimi i ndeshjes dhe kur vendësit kaluan në avantazh, e kuptova se jo vetëm që s’mund të fitonim, por as për barazim s’bëhej dot më fjalë….

Më ka pëlqyer e gjithë skuadra. Luajti me ritëm, na imponoi vullnetin e saj dhe diti të fitonte”. Partizani i kishte kërkuar dy lojtarë Vllaznisë për ndihmë, Bizin e Rragamin, duke vënë syrin te ylli i saj më i ri, siç ishte 20-vjeçari Sabah Bizi, të cilin mbasi e kërkon vetëm për ndeshjet me Torinon, me prepotencë dikasteresh të fuqishme, nuk ia kthen më. Partizani përforcohet ndërkaq edhe me Teodor Vason e Skënderbeut dhe në fushën e blertë derdhet një 11-sh thuajse i pagabueshëm, në harmoni të plotë, ku gjejmë plot shtatë futbollistë të Kombëtares: M.Janku, T.Vaso, R.Rragami, L.Shllaku, Bizi, Pano, Jashari. Në mënyrë të veçantë me tre episode të rralla të denja për antologjinë, pse jo, europiane të futbollit: humbjen e golit të sigurt nga Pano, kaskadën harmoniose të Rragamit për të pasuar te Shaqiqi dhe goli spektakolar i këtij të fundit.

Ky ishte 11-shi i trajnerit Refik Resmja, i cili mbasi kishte lënë mbrapa karrierën e tij të bujshme si futbollist, regjistronte në historinë e tij këtë kujtim madhështor të futbollit si trajner me këtë fitore përtej historisë, kundër mbajtëses së Kupës së Italisë – Kampione e freskët e Europës! Humbja 1-3 e Partizanit në ndeshjen kthimit në Torino, tash me trajner Loro Boriçin e Resmen gjithnjë aty pranë, më 2 tetor 1968, ka pasur dramaticitetin e saj dhe Partizani e ka lënë “Stadio Comunale” të Torinos me kryet lart.

Cili ishte roli i Bizit në këtë ndeshje për ne legjendare, madje sot e kësaj dite e vetmja fitore në rang europian ndaj një klubi të Italisë – sot katër herë Kampione e Botës? Kanë kaluar plot 50 vjet nga 18 shtatori 1968. Dhe mesfusha! Kjo qe vendimtarja e fitores, dhe kaq e sinkronizuar ka qenë skuadra në tanësi, saqë është vështirë të dallosh njërin nga tjetri. Të dallosh portierin Janku nga tre mbrojtësit Mihal Gjika – Spiro Gjika – Teodor Vaso. Apo dy gjysmëmbrojtësit Ramazan Rragami – Lin Shllaku nga pesëshja e sulmit Bajko – Shaqiri – Bizi – PanoJashari. Ndonëse Bizin duhet t’ia heqim kësaj pesësheje, për ta kthyer mbrapa e për ta bërë treshe dyshen Rragami-Shllaku.

Në dukje të jashtme, gjithçka i përngjan një taktike klasike të futbollit që kishte perënduar tashmâ, por merita e madhe e këtij Partizani qëndronte në atë që nëse në letër Sabah Bizi dukej të ishte një qendërsulmues i tërhequr, në fushë ai ishte qendra e mesfushës. Dhe nëse kjo ishte një tjetër ndeshje e madhe e kapitenit Lin Shllaku, them se dyshja aktuale shkodrane pranë tij, ajo RragamiBizi, çka me Linin e rrëmbyer qysh para nja njëmbëdhjetë vjetësh po prej Vllaznisë, them se përbënte një treshe të pashlyeshme mesfushe nën tingullin e harmonisë së harruar të futbollit të Qytetit të Veriut: Shllaku-Rragami-Bizi! Edhe pse ndoshta me më tepër detyra mbrojtjeje dy të parët, ndërtues sulmi i treti, Bizi 20-vjeçar.

E vërteta është se shtypi tejet i vëmendshëm përmes shkrimit të Ismet Bellovës dhe Miço Papadhopullit, duket se i vë pikat mbi “i” kur thekson: “Shumë punëtorë, të palodhur e gjithnjë në lëvizje me top e pa top, qenë lojtarët e mesit të fushës Rragami dhe Bizi. Në qoftë se tek ekipi ynë ra në sy loja e kënaqshme e mesit të fushës, mendojmë se meritë të madhe kanë Rragami e Bizi”. Ishin lojtarë të Vllaznisë e jo të Partizanit. Ashtu si Teodor Vaso i Skënderbeut. Dhe prapë i kthehemi Torinos. I kthehemi me histori skeduese, që nuk i duron “barsoletat” shpesh banale të futbollit që tregohen këndej pari. Kësaj radhe duke botuar për herë të parë të plota në këtë libër dy skedat e ndeshjeve të pashlyeshme – nder i madh i futbollit modest shqiptar – ato Partizani – Torino të verifikuara edhe me “Annuario del Calcio Mondiale” të mikut dhe kolegut të shquar Salvatore Lo Prestibashkëpunëtor i të cilit kam qenë përreth 15 vjet dhe me shpresë se plagjiatorët kur t’i “vjedhin” do të tregojnë burimin. Tek janë:

Tiranë. 18 shtator 1968.

Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”

PARTIZANI – TORINO 1-0

PARTIZANI: M.Janku, M.Gjika, S.Gjika, T.Vaso, R.Rragami, Shllaku, Bajko, Shaqiri, Bizi, Pano, Jashari (Çiraku 46′). TRAJNER: Refik Resmja.

TORINO: Vieri, Poletti, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi, Carelli (Mondonico 30′), Ferrini, Baisi, Moschino, Facchin (Corni 56′). TRAJNER: Edmondo Fabbri.

GOLAT: Shaqiri 46′.

GJYQTARE: Gugulovic (Jugosllavia).

SHIKUES: 30.000.

Torino. 2 tetor 1968.

Stadio “Comunale”.

TORINO – PARTIZANI 1-3

PARTIZANI: M.Janku, M.Gjika, S.Gjika, T.Vaso, Shule, R.Rragami, Shllaku, Bajko, Bizi, Pano (Çiraku 76′), Shaqiri. TRAJNER: Loro Boriçi & Refik Resmja.

TORINO: Vieri, Trebbi, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi (Carelli 10′), Mondonico (Corni 70′), Agroppi, Combin, Moschino, Facchin. TRAJNER: Edmondo Fabbri.

GOLAT: Carelli 22′, Facchin 28′, Mondonico 59′, Bajko 86′.

GJYQTAR: Krnavec (Çekosllovakia).

Siç shihet, mbas fitores shqiptare dhe asaj italiane kemi të bëjmë me një kualifikim torinez të vetëm prej një goli ndryshim: 3-2! E, Torino pra, i përkiste Italisë Kampione e Europës 1968. Saktësisht Kampione e vetëm para tre muajve, 10 qershor 1968, kur kishte mposhtur në ndeshjen e dytë Jugosllavinë 2-0, atë Jugosllavi të cilën për të mbërritur këtu e kishte ndihmuar aq fort Shqipëria e Sabah Bizit e barazimit famëmadh 0-0 me mënjanimin e Gjermanisë “së Tiranës” të 17 dhjetorit 1967. Vetëm 10 muaj më parë!

Në të vërtetë, në njëmbëdhjetëshin e Torinos ishte vetëm një protagonist i ndeshjes së Romës: mesfushori Giorgio Ferrini për fat të keq i ndarë para kohe nga jeta (1939-1976), por në këto dy ndeshje PartizaniTorino kemi plot 8 lojtarë kombëtares së Italisë dhe një të Francës: Vieri, Poletti, Fossatti, Bolchi, Ferrini, Trebbi, Agroppi, Combin (ky me Francën). Po e mbyll, duke iu ftuar të ndaleni, sidomos te njëra prej fotove që shoqërojnë këtë kapitull, ngaqë çuditërisht sikur tregon hapësirën që sundonte Sabah Bizi. Vështrojeni me vëmendje pra këtë foto të ndeshjes Partizani-Torino 1-0 të shtatorit 1968, që them se ndoshta është fotoja më taktike në historinë e futbollit shqiptar. Tre italianë e kanë rrethuar Bizin, por fusha është e tij.

Tri roje piemonteze të Italisë – Kampione e saposhpallur e Europës – e vështrojnë si të kishin para një kala të pakapshme, këtë 20-vjeçar “të panjohur”, të cilit nuk po ia gjenin shtegun, teksa atje në sfond rrinte i gatshëm kapiteni i madh Lin Shlllaku, siç shihet paksa edhe në këtë foto, ndërsa në të djathtë figura tërheqëse e mbrojtësit tonë modern Mihal Gjika. Dhe mû në këtë ditë fatale të madhe për futbollin shqiptar të Partizani-Torino 1-0, është çasti i rrëmbimit prej Partizanit. Dhe mû kjo është po aq një ditë fatale për futbolldashësit shkodranë: Bizi nuk do të ishte i tyre! E edhe në atë ditë të bukur të Tiranës të 18 shtatorit 1968, në Shkodër pati njerëz që derdhën lot…

Partizani i pamëshirshëm ia kishte kërkuar Vllaznisë për ndihmë të ndeshjes me Torinon dhe nuk ia lëshon më! Nuk ia arrijmë sot mbas 50 vjetëve të marrim me mend se cili do të kishte qenë fati i Sabah Bizit, nëse Vllaznia nuk do t’ia kishte dhënë atë për Torinon? “Tradhtia” e madhe e kishte bërë thuajse rrufeshëm punën e vet. Ishte dëmtuar tejet Vllaznia, por ndërkaq, ky Partizan – që nuk ishte një fabrikë që lindte futbollistë, por që ishte një kombinat i shkëlqyeshëm që përpunonte dhe përforconte futbollistë, kështu do të vepronte edhe me Sabah Bizin: do t’ia përsoste edhe më tej universalizmin e tij. Ky do të ishte borxhi që do t’ia lante bukur e mirë Shkodrës, megjithatë. Historia e Bizit shpejt do të bëhej dramatike, në skena e prapaskena. Do t’i tregojmë duke vazhduar me kapitujt e ardhshëm të librit tonë…

(1)

Finale e Kupës së Shqipërisë 1968

PARTIZANI – VLLAZNIA 4-1

10.03.1966. Tiranë. St. Kombëtar “Q.Stafa”.

SHËNUES: Pano 2′ (rig.), 15′, 65′, Shllaku 55′ (rig.), R.Rragami 63′.

VLLAZNIA: Z.Dani, Çapaliku, Gjoni, M.Dedja, R.Rragami, Lekaj, Gjergji, Koçobashi, Qeraj, Bizi. Puka. Trajner: Xh.Shaqiri.

PARTIZANI: M.Janku, M.Gjika, Dauti, Ziu, Shule, S.Gjika, Kenaj, I.Hoxha, Shllaku, Pano, S.Dani (Shaqiri). Trajner: R.Resmja.

GJYQTARË: F.Bajrami, P.Doko, L.Shakaj.

SHIKUES: 18.000

(2)
RENDITJA E KAMPIONATIT KOMBËTAR 1968
EKIPI P F B H G+/-
1.17 NENTORI / Tiranë 45 21 3 2 63-20
2. PARTIZANI / Tiranë 44 19 6 1 62-19
3. DINAMO / Tiranë 38 18 2 6 68-28
4. VLLAZNIA / Shkodër 34 14 6 6 43-23
5. FLAMURTARI / Vlorë 25 9 7 10 35-34
6. LABINOTI / Elbasan 23 9 5 12 37-34
7. LOKOMOTIVA / Durrës 23 7 9 10 22-31
8. SKENDERBEU / Durrës 21 6 9 11 27-32
9. TRAKTORI / Lushnje 21 8 5 13 28-40
10. LUFTETARI / Gjirokastër 21 7 7 12 22-51
11. BESA / Kavajë 20 6 8 12 19-25
12. APOLONIA / Fier 19 4 11 11 24-40
13.TOMORI / Berat 18 6 6 14 19-42
14.YLLI I KUQ / Pogradec 12 4 4 18 19-59