Agnaldo Moraes është njëri ndër lojtarët që spikati te Kastrioti për mbajtjen e topit, pasimet e sakta dhe driblimet perfekte. Për brazilianin ky ka qenë një sezon i vështirë, pas asaj nisjeje perfekte të sezonit, megjithatë ai ndihet mirë që skuadra arriti të qëndronte në Superiore dhe shpreson që në sezonin e ardhshëm ekipi të ketë të tjera synime.

SEZONI – “Ka qenë një sezon i vështirë në përgjithësi, prej pandemisë plus edhe bojkotit që pati këtu, megjithatë ne e nisëm mirë dhe arritëm që në 7 javët e para të mos pësonim humbje. Patëm një ecuri të mirë deri në fundin e fazës së dytë, por më pas gjërat nuk shkuan siç i patëm menduar dhe arritëm deri në ndeshjen shtesë me Tomorin, që fatmirësisht arritëm ta fitonim.

Ndihem mirë që arritëm ta mbanim skuadrën në mesin e më të mirave dhe shpresoj që sezonin e ri të kemi të tjera synime dhe jo vetëm qëndrimin në kategori”, tha fillimisht mesfushori i spikatur brazilian.

E ARDHMJA – “Për momentin do të shijojmë disa ditë pushime, më pas do të rikthehemi të përgatitemi për sezonin e ri. Nuk e di nëse do të vazhdoj sërish te Kastrioti apo do të transferohem në një klub tjetër, pasi këtë e vendosin drejtuesit. Unë kam dhe një vit kontratë në fakt, ndaj nëse në klub mendojnë të më transferojnë në një skuadër më të mirë, brenda apo jashtë Shqipërisë, mendoj që do të ishte në të mirë të klubit dhe timen personale.

Dua ta theksoj që është klubi ai që vendos, pra nëse në klub kanë mbërritur oferta për mua, është klubi ai që i shqyrton fillimisht”, tha Moraesi, i cili është një lojtar i talentuar, pasi më parë ka luajtur me Molden në Champions League.