Publikimi i projekt- idesë së ndërtimit të stadiumit “Loro Boriçi” është pritur me shumë interes në Shkodër. Kuptohet që menjëherë pas bërjes publike të kësaj ideje, kanë filluar edhe diskutimet në lidhje me këtë çështje shumë të mirëpritur. Të gjithë shkodranët, sidomos ata sportdashësit, e mirëpresin ndërtimin e plotë të stadiumit të qytetit të tyre. Ata thonë se Shkodra e meriton një stadium të tillë, me përmasa dhe kushte bashkëkohore. Por bashkë me dëshirën, shumë të tjerë shfaqin edhe frikën se një ide e tillë ka dalë sa për “t’u hedhur hi syve” të tyre nga dështimi i Vllaznisë së këtij sezoni. Të tjerë besojnë se Bashkisë Shkodër i mungojnë fondet e duhura për ta ndërtuar stadiumin dhe kjo mund të mos bëhet deri në vitin 2050. E rëndësishme është që të gjithë e duan një stadium të tillë në Shkodër. Kjo është shumë pozitive. Tashmë është në dorën e Bashkisë Shkodër për të vendosur se çfarë do bëjë. Ajo vërtetë mund të mos i ketë fondet e duhura por ekzistojnë dhe mundësi kreditimi, ndihme nga UEFA dhe FIFA, aq më tepër që ky stadium mund të përfundonte së ndërtuar të paktën për 100 vjetorin e klubit, më 2019. Do ishte një mrekulli, dhurata më e bukur për shkodranët dhe për djepin e futbollit shqiptar. Një stadium që mund të inagurohej atë vit me një “ndeshje big” ndaj një emri të madh të futbollit europian. Por kuptohet që pa shkuar tek këto të tjerat, e rëndësishme është të nisë puna. Projekt- ideja në letër, nuk duhet të mbesë e tillë. Javën e ardhshme, me shumë mundësi, të paktën nga sa është thënë, pjestarë të studio italiane që janë marrë me projektin, do mbërrijnë në Shkodër për të diskutuar në lidhje me të. Të gjithë shpresojnë se ky entuziasëm me të cilën ka nisur puna për ndërtimin e plotë të “Loro Boriçit” të mos mbesë thjesht një ëndërr.

www.shkodrasport.com