Starti i kampionatit ka qenë ai i duhuri për Vllazninë që fitoi me shifrat 3-1 ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”. Një sfidë që mund të kishte patur një rezultat edhe më të thellë për kuqeblutë që kanë shpërdoruar jo pak në këtë 90 minutësh.

Ndërkohë në analizën e tij për këtë ndeshje, specialisti i njohur i futbollit Sulejman Starova ka përgëzuar lojën e skuadrës kuqeblu por mbi të gjitha ambjentin ku është zhvilluar ajo, madje nuk ka ngurruar ta krahasojë me stadiumin e Bolonjës në Itali.

“Së pari mund të them që ishte një ndeshje e pëlqyeshme, normalisht edhe me këtë infrastrukturë të shkëlqyeshme, në këtë fushë të mrekullueshme, m’u duk sikur po shihja një ndeshje në Bolonja. Vllaznia filloi me një presing të lartë dhe që në atë moment ma mori mendja se do të shkonte në goleadë.

Kukësi barazoi papritmas në minutën e 24-të, ishte një aksion i bukur, edhe pse u ndihmua nga një gabim i mbrojtësit të Vllaznisë. Gjithashtu, pjesa e dytë filloi me të njejtin ritëm për Vllazninë.

Pritshmëria për Kukësin ishte e ulët, pasi kishte një formacion të pamjaftueshëm. Normalisht që edhe Kukësi ka meritat e tij për lojën e bukur që u zhvillua. Them se skuadra e Kukësit ka mundësi të ecë përpara”- është shprehur Starova./SHKODRA-SPORT.COM/