Shumë komente, shumë diskutime, mendime pro dhe kundër arbitrimit në ndeshjen Teuta- Vllaznia, kanë shoqëruar opinionin sportiv në këto ditë të post kësaj ndeshje. Një mendim për të ka dhënë edhe specialisti i njohur i futbollit Sulejman Starova i cili siç dihet është edhe drejtor teknik i skuadrës durrsake.
Ai ka qenë prezent natyrisht në “Niko Dovana” dhe ka ditur të japë edhe një mendim më të qartë të asaj çfarë ndodhi në 100 minutat e këtij takimi që u mbyll në barazim 1-1.
“Pjesa më e madhe e ndeshjes ishte pa ritëm, me gabime në pasim, ishte gati pa grintë dhe kjo për arsye se Teuta u mundua që të çante atë variant të Vllaznisë me 4 sulmues që prisnin dhe 6 lojtarë që mbronin. Një hendek ky në lojën e skuadrës së Vllaznisë, por që i krijoi disa probleme që filluan duke u reduktuar dhe Teuta filloi e u bë e rrezikshme.
Vllaznia në fillim po e priste Teutën dhe ajo në fakt i krijoi 2-3 mundësi ku rasti i Vilës edhe mund të ishte konkretizuar. Por duhet ta pranojmë se loja u bë më interesante pas golit të Vllaznisë. Kjo sepse Teuta i futi një marsh më tepër dhe shembulli më i mirë është Jazexhi që vjen nga mbrojtja dhe bën edhe depërtime, gjë që duhej ta bënin edhe lojtarët e tjerë më përpara.
Skuadra durrsake filloi të sulmonte edhe nga krahët, ndërsa Vllaznia tregoi grintë sepse kërkonte të mbronte rezultatin dhe u tregua e saktë sidomos në lojën në ajër. Ajo i kishte të rëndësishme këto tre pikë, duke marrë vesh edhe lajmin se Partizani po ndalohej nga Skënderbeu.
Megjithatë nuk diti ta administronte avantazhin dhe në fund erdhi barazimi dhe mendoj se ishte një rezultat i drejtë”- është shprehur Starova./SHKODRA-SPORT.COM/