✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Pas më tepër se 6 muajsh të vështirë që ka kaluar larg fushës së blertë si rrjedhojë e një dëmtimi që ka patur, sulmuesi Klajti Halili jo vetëm që po rikthehet në formën e tij më të mirë por edhe po spikat me golat që po shënon me ekipin “Vllaznia B”.
Në ndeshjen e parë të kampionatit, atë në transfertë ndaj ekipit të Klosit të fituar nga ekipi shkodran me shifrat e thella 7-0, futbollisti 20 vjeçar është hedhur në fushë në minutën e 55-të dhe arriti të shënonte një gol për kuqeblutë.
Në ndeshjen e dytë, atë në shtëpi ndaj “Young Boys” të fituar nga Vllaznia “B” me rezultatin 4-1, Halili u fut në fushë si zëvendësues në minutën e 42-të dhe në ato minuta që luajti, arriti të shënonte dy gola.
E njëjta situatë, madje edhe më interesante në ndeshjen e sotme në transfertë ndaj Shënkollit të fituar nga kuqeblutë 6-4. Trajneri Bizi i besoi një vend titullari që në fillim dhe ai nuk e zhgënjeu duke shënuar një tregolësh, në 75 minutat qv është aktivizuar. Kjo padyshim që është diçka shumë e rëndësishme e që tregon se Halili po rikthehet në formën e tij më të mirë.
Kujtojmë që ai ka qenë sulmuesi kryesor i ekipit U19 dy sezone më parë dhe madje shënoi edhe me ekipin e të rriturve në të vetmen ndeshje të luajtur me të, atë ndaj Skënderbeut. Kjo bëri që drejtuesit e klubit të firmosin kontratë me të, por për fat të keq gjatë sezonit të kaluar kaloi një periudhë të vështirë, aq sa mendoi edhe lënien e futbollit përfundimisht.
Por mbështetja e familjarëve dhe e të afërmve të tij bëri që tek Klajti të rikthehet besimi dhe duke u stërvitur fort me Vllaznia “B” gjatë kësaj periudhe, po e merr gradualisht formën e tij më të mirë. Starti është fantastik, me 6 gola të shënuar në vetëm 158 minuta deri tani. Një tregues që me siguri do të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje sepse edhe forma e tij do të kapë shpejt maksimalen.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







