Edhe këtë verë, ashtu sikurse ka ndodhur rregullisht gjatë viteve të fundit, Shqipëria do të marrë pjesë më të gjitha grup-moshat në kompeticionet verore të FIBA-s.

Kombëtarja e parë që do të zbresë në parket do të jetë ajo U-16 e djemve, e cila do të luajë në Divizionin C, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, nga data 5 deri më 13 korrik.

Bashkia Shkodër ka nisur prej disa kohësh përgatitjet për këtë eveniment të rëndësishëm dhe si rrjedhojë po merret me përmirësimin e kushteve në pallatin e sportit, brenda dhe jashtë tij.

Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Elidon Beqo, ndodhet në Grupin A, bashkë me Maltën, Moldavinë dhe Armeninë. Shqipëria do ta zhvillojë sfidën e parë në grup më 5 korrik në orën 19:00 përballë Maltës. Më 7 korrik në orën 19:00 do të përballet me Moldavinë, ndërsa në të njëjtën orë më datë 10 korrik do të mbyllë takimet në grup me ndeshjen kundër Armenisë.