Provat e verës dhe miqësoret e shumta mbaruan, për t’i lënë vendin sot startit zyrtar të garës mes 10 skuadrave, të cilat formojnë atë që konsiderohet elita e futbollit shqiptar.fgckfg

Ky është kampionati i 85-të dhe FSHF-ja ka planifikuar që ta nisë me ndeshjen Egnatia-Skënderbeu, që do të luhet në orën 17:00 në stadiumin e Rrogozhinës. Por çfarë ka të veçantë sezoni 2023-2024 dhe cilat janë çudirat në Superiore…?

FORMULA – Një formulë e padëgjuar më parë do të vihet në jetë këtë sezon, me FSHF-në që ka vendosur të bëjë “shpikje” sa i përket ekipit që në fund do të shpallet kampion. Ndeshje “play off” për titullin ka në disa vende të Europës, por që të zerohen pikët pas 36 javëve kampionat, kjo do të ndodhë për herë të parë në Kategorinë Superiore këtë sezon.

Këtë format nuk e ka përdorur asnjë federatë në botë dhe mund të ndodhë që vendi i parë të jetë i shkëputur me pikë nga ndjekësit, por që në fund të mos kurorëzohet dot kampion. Kjo “zhbën” thuajse 36 javë kampionat dhe bën me “krahë” vendin e katërt, që praktikisht me tri fitore në “play off” merr titullin kampion.

STADIUMET – Çudirat e startit të këtij sezoni vijojnë me stadiumet. Derbi Dinamo-Tirana do të luhet në Elbasan të dielën. Klubi blu nuk ka lidhur kontratë me asnjë stadium në kryeqytet, por ka zgjedhur të luajë si pritës në “Elbasan Arena”. Kjo natyrisht që largon jo pak tifozët, të cilët kanë tashmë një kuriozitet të shtuar për të ndjekur ekipin pas projektit të ri. Surprizë është vendimi i Erzenit, që nuk do të luajë më në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Klubi shijakas ka zgjedhur si shtëpinë e re stadiumin e Rrogozhinës, “Arena Egnatia”.