Shkruar nga Endri ÇINARI
Statistikat e ndeshjes së rradhës në kampionat mes Flamurtarit dhe Vllaznisë në vitet e fundit flasin qartazi në favor të shkodranëve. Kështu fitorja e fundit e Flamurtarit ndaj Vllaznisë në kampionat shënohet në fazën e parë të këtij sezoni. Ku vlonjatët në kuadër të javës së 9-të triumfuan kundër kuqebluve me shifrat 1-0, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Herald Marku.
Por, përpara këtij dueli, suksesi i fundit i kuqezinjëve datonte më 09.12.2017, pra para 8 vitesh. Ku në atë periudhë vlonjatët triumfonin në shtëpi në kuadër të sezonit 2017-18 me rezultatin 2-0 falë golave të Mustes dhe Kamara. Që nga ai moment mes shkodranëve dhe bregdetarëve janë luajtur edhe 13 ndeshje të tjera mes kampionatit dhe kupës.
Ku në kupë përballjet u shndërruan në një traditë në edicionet e fundit, kjo pasi Flamurtari për disa sezone qëndroi në ligat inferiore të futbollit tonë. Duke mos pasur kështu mundësinë për të zhvilluar përballje në Superiore me Vllazninë. Kështu në 13 ndeshjet e zhvilluara që nga fitorja e fundit e kuqezinjëve në vitin 2017, Vllaznia ka fituar 9 prej tyre. Kjo duke theksuar këtu edhe përballjet në kompeticionin e kupës dhe jo vetëm ato në kampionat.
Nga këto 13 ndeshje, 3 prej tyre kanë përfunduar në barazim mes dy skuadrave. E ndërsa Flamurtari ka fituar vetëm një ndeshje gjatë kësaj periudhe 8-vjeçare dhe kjo në datën 26.09.2022. Ku në kuadër të turit të 1/16 të kupës për edicionin 2022-23 fitonin në shtëpi me shifrat 2-1 ndaj Vllaznisë. Sukses që nuk do vlente shumë, pasi në kthim do përmbyste gjithçka Vllaznia me rezultatin 3-0, duke u kualifikuar kështu në turin tjetër të kompeticionit.
Pra, shifrat tregojnë një dominim të shkodranëve në dekadën e fundit në përballjet me Flamurtarin. Statistika të cilat 9 herë kampionët e Shqipërisë do kërkojnë t’i pasurojnë akoma më tepër këtë të mërkurë, ku do jenë pritës në Shkodër përballë Flamurtarit në kuadër të javës së 18-të të sezonit 2025-26.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


