Një tjetër emër i njohur i futbollit botëror shfaqet mes kandidatëve për të marrë drejtimin e përfaqësueses kuqezi pas largimit të Kristian Panuçit. Me përfundimin e ndeshjes ndaj Andorrës, tani FSHF mund t’i kushtohet plotësisht shqyrtimit të listës me kandidaturat e atyre që mund të jenë trajnerët potencial të kuqezinjve në edicionin në vijim dhe ndoshta edhe atë të ardhshëm.

Emra si Reja, Sushiç, De Kanio, Zenga, Raduloviç apo Inzagi do të merren në shqyrtim gjatë këtyre ditëve, ndërsa mësohet se në skenë është edhe një emër shumë interesant që ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e kreut të FSHF-së, Duka.

Bëhet fjalë për Roberto Donadonin, ish-mesfushorin e njohur italian i cili ka pasur një karrierë relativisht të suksesshme edhe si trajner, duke arritur që të drejtonte Italinë në vitet 2006-2008.

Që prej vitit të kaluar, kur ai u largua nga Bolonja, Donadoni është pa skuadër dhe emri i tij i është propozuar FSHF-së nga bashkëpunëtorët që janë ngarkuar për të gjetur teknikun e ri.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Duka ka kërkuar informacion për Donadonin, pasi edhe në vitin 2011, para se të firmoste me De Biazin, ai kishte pyetur për mundësinë e afrimit të teknikut italian. /vipsport/