A do të flasë shqip Leçe e trajnerit Roberto D’Aversa? Kjo është pyetja që shtrohet afër qytetit italian në lidhje me ekipin e tyre. Skuadra bregdetare arriti të mbijetojë në Serinë A dhe tashmë me një trajner të ri, po përgatitet për sezonin e ri, ku drejtori Korvino është hedhur në merkato për t’i dhënë trajnerit elementët themelorë që i mungojnë skuadrës pas disa largimeve.

Leçe është në kërkim të një portieri, ku përveç emrave të zakonshëm të Dragovskit dhe Terracianos, një emër ideal është ai i Tomas Strakoshës. Klubi i Serisë A po heton tregun e huaj dhe portieri i Kombëtares shqiptare do të ishte një goditje nga Leçe, duke marrë parasysh eksperiencën e Strakoshës.

Ai u largua vitin e kaluar nga Lacio te Brentfordi me parametra zero, ku firmosi një kontratë të majme me rreth 2 milionë euro në sezon, por në Londër, portieri pothuajse nuk u pa në fushë dhe në janar kërkonte largimin nga ishulli britanik.

Më shumë se 200 ndeshje në Serinë A, Leçe mund të jetë vitrina e duhur për të rikthyer Strakoshën në Itali dhe kjo do ishte gjithashtu e dobishme për Brentfordin, i cili duhet të gjejë një blerës për të shitur 28-vjeçarin që ka edhe dy vite të plota kontratë. Nëse klubi anglez do të merrte pjesë në pagesën e pagës, do të ishte një goditje e madhe për Leçen, sepse portieri shqiptar ka cilësitë e duhura për të mbrojtur katërkëndorin.

RAMADANI- Një tjetër lojtar që së shpejti mund të vishet verdhekuq është Ylber Ramadani. Mesfushori, i cili sezonin e fundit luajti për Aberdinin në Skoci, është një alternativë për të zëvendësuar Hjulmandin, që kërkohet shumë në këtë merkato. Kështu mbetet për t’u parë nëse Leçe do të bëjë një goditje dyshe shqiptarësh këtë verë.