Opinion nga Besnik Dizdari*

“…Pak muaj më parë skuadra e Vllaznisë së Shkodrës ka caktuar si trajner 42-vjeçarin Rudi Vata, pa qenë asnjëherë trajner, por me një përvojë të madhe si lojtar, 59 herë i Kombëtares, kapiten i saj, kampion i Shqipërisë, lojtari i vetëm shqiptar i Mbasluftës, i cili ia ka arritur të jetë titullar i një prej skuadrave më të famshme të Evropës, Kampiones së Evropës, Sëlltik Gllazgout, duke fituar me të edhe Kupën e Skocisë.

Emërimi i tij te Vllaznia është një prej punëve më të mira të këtij klubi. Jo thjesht në të mirë të skuadrës shkodrane, por të vetë futbollit shqiptar. Sepse, kush do të bëhet trajner në Shqipëri më parë sesa futbollistët më të mirë shqiptarë, më me përvojë, më të shkolluar, tashmë për fatin e madh të sotëm, edhe me një përvojë ndërkombëtare, çka dikur e kemi ëndërruar? Rudi Vata e filloi jo mirë, e vazhdoi disi mirë, prapë keq, mandej prapë mirë. Humbi dy shtyllat e skuadrës në mes të rrugës (Sukaj dhe Vajushi) pa ia arritur t’i zëvendësojë. Dhe mendoj se bëri një gabim: shpërtheu në televizione, duke folur mirë, me kompetencë, por, pa dashur, i tërhequr prej gazetarëve të paduruar televizivë, ra viktimë e të komentuarit të atyre çka një trajner profesionist nuk duhet t’i komentojë aq fort: pra klubi, drejtimi, mjedisi, polemikat mbrapa perdes, kundërshtarët e brendshëm, simpatizantët, e tjerë e tjerë… Në këtë kontekst, Vata u soll pak a shumë si një trajner i huaj, i cili vjen të punojë në Shqipëri. E kuptueshme kjo kur mendon se ka 20 vjet që jeton jashtë. Mirëpo, a e shihni se edhe të huajt (Rubio dhe Levi) kanë dinakërinë e një rezervimi në atë se çka duhet e çka nuk duhet të dalin jashtë mureve të klubit?… Nuk e bëj fajtor. Më fort bëj fajtor kolegët e mi. Dhe? Thuajse çdo javë dëgjoj të thuhet se Vata nuk do të jetë më trajner i skuadrës së Shkodrës, qytetar i së cilës ai është dhe prej së cilës ai ka lindur edhe si futbollist. Dhe shkohet deri në skaj (ekstrem), saqë gati në çdo intervistë që i bëhet atij, do t’i përsëritet pa mëshirë: “A nuk do të ikësh në fund të kampionatit?”. Ose: “Ti nuk do të jesh më trajner i Vllaznisë, apo jo?”. Gati-gati sa nuk i thuhet se “duhet të ikësh një orë e më parë”. E çuditshmja është se ky sulm pyetjesh “zhdukëse” i bëhet prej sa javësh vetëm trajnerit Vata!? Habitem se si Vata nuk i drejtohet ndonjë gazetari me pyetjen kundërsulmuese në stilin e tij të dikurshëm (kur edhe pse ishte qendërmbrojtës, papritmas hidhej në sulm dhe shënonte një gol fitimtar): “Po ti gazetar, a do të vazhdosh të punosh më në televizion, ku jo vetëm je caktuar pa asnjë konkurs zotësie, por sepse ke do vite të mira që ke mbetur në vendnumëro dhe nuk ia ke arritur ta mësosh për së mbari profesionin tënd?”. Ndërkaq, Rudi vazhdon. Them se vërtet që duhet të vazhdojë. Jo për inat të atyre që nuk e duan, por sepse mu te Rudi Vatat duhet t’i gjejnë, t’i formojnë, t’i brumosin, t’i përgatisin trajnerët klubet e Shqipërisë.

… Nuk ia pranoj kurrsesi Rudi Vatës që teksa i ka sytë te të rinjtë që Shkodrës kurrë nuk i kanë munguar, ai nxjerr në fushën e lojës edhe një Vllazni thuajse deri me 6 a 7 futbollistë të huaj mesatarë! E kuptoj, është pikërisht ajo, trysnia e rezultatit të shpejtë që i bën atij (dhe jo vetëm atij) “presidenca”, mjedisi i paduruar për rezultatin, për fat të keq jorrallë duke u bashkuar me këtë trysni edhe shtypi, sidomos televizionet me njëanshmërinë e tyre tematike, të cilët kanë zhdukur me kohë rubrikat sportive, duke i shndërruar ato vetëm në “talk show”. Të gjithë pa përjashtim! Dhe të gjithë kopje e njëri-tjetrit, të formalizuar kësisoji deri në mërzi. Mos ndoshta nuk kanë faj presidentët e klubeve që i shkarkojnë kaq rrufeshëm trajnerët, madje për një kurrgjasend, përderisa para se të flasin ata, dëgjojmë “talk show”-t e futbollit që menjëherë ua përmendin shkarkimin këtyre trajnerëve?… Kujtoj ndërkaq, se kthesën e madhe futbollit të Shkodrës ia kanë dhënë dy trajnerë, asokohe krejt të rinj: Skënder Jareci dhe Xhevdet Shaqiri, të cilët derisa morën Vllazninë ndër duar në vitet `60, asnjëherë nuk kishin drejtuar klube të kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Kujtoj që më 1965 kur jo vetëm bëri përtëritjen, por dhe fitoi Kupën e Shqipërisë, Skënder Jareci ka qenë vetëm 34 vjeç. Dhe sapo e kishte lënë futbollin e luajtur. Ka qenë 30 e pak vjeçar Ramazan Ragami kur është bërë trajner i Vllaznisë, madje trajner kampion dhe si trajner e ka çuar Shqipërinë e 21-vjeçarëve në tetëshen e Evropës më 1983. Ishte vetëm paksa më i madh. se Stramaçoni i Interit. 34-vjeçar ishte Din Zhega, kur thuajse të nesërmen e largimit si protagonist prej fushës së blertë, iu besua Vllaznia e Shkodrës, me të cilën brenda 12 muajve fitoi Kupën e Shqipërisë. Nuk po endem fort me rastet e Loro Boriçit, Myslym Allës, Ilia Shukes, Skënder Dedjes, Zihni Gjinalit, Rexhep Spahiut, Isuf Pelingut apo të tjerë të dhjetëvjetëshave të shkuar, të cilët janë bërë trajnerë të famshëm për ne menjëherë sapo i janë larguar futbollit të luajtur, sepse asokohe Shqipëria nuk e kishte formuar ende mirëfilli figurën e trajnerit. Por po i afrohem kohës më të afërt në shembujt fitimtarë të Edmond Liçajt, Leonidha Çurit, Astrit Hafizit, Sulejman Starovës, Shkëlqim Muçës, Sulejman Memës, Hysen Dedjes, Faruk Sejdinit, Bashkim Kokës, Haxhi Ballgjinit, Mirel Josës, Shpëtim Duros, Ilir Dajës. Edhe pse, pak a shumë, jo disi në largësi mbas lënies së futbollit, prapëseprapë e filluan thuajse të papërvojë këtë profesion në krye të skuadrave të kampionatit të Shqipërisë. Dhe në atë fillim askush nuk i sulmoi për ikje kësisoj të menjëhershme si në rastin e kombëtarasit tonë Rudi Vata, i cili përveç të tjerave, mban mbi supe edhe nga shkolla e trajningut britanik, që dihet se është e para e botës. Një ndër sekretet e formimit dhe rritjes së një pjese prej emrave të sipërpërmendur ka qenë fakti që ata kanë punuar pa frikën e shkarkimit të menjëhershëm dhe aq më pak të kenë njohur “armiqësinë” e ndonjë gazetari për t’i pyetur tash e parë përmes mjeteve publike të informacionit: “A rrezikoni shkarkimin?”. Pikërisht për të gjitha këto, them se Rudi Vata duhet të vazhdojë të jetë trajner i Vllaznisë edhe për kampionatin tjetër. Sepse ka nisur një punë, sepse është figurë e madhe e futbollit shqiptar, sepse ka një përvojë të jashtëzakonshme ndërkombëtare si lojtar, sepse duket që e do profesionin e tij, sepse është tejet i sinqertë në mënyrën si kërkon ta ushtrojë këtë profesion të vështirë, sepse ai bën pjesë në atë brez të futbollit shqiptar që i takon të marrë ndër duar drejtimin teknik të skuadrave shqiptare. Besoj se e kuptoni që ky shkrim nuk pati si qëllim kryesor thjesht të mbrojë Rudi Vatën. Ai pati si qëllim vetëm për të tërhequr paksa vëmendjen mbi vendnumëro-në e papranueshme të Shqipërisë për të formuar për së mbari trajnerët e skuadrave të saj. Si fund, do ta ftoja sektorin teknik të Federatës Shqiptare të Futbollit të bëjë një studim të shpejtë, me synimin e vetëm për të na gjetur një trajner shqiptar, një të vetëm, të këtyre viteve të fundit, i cili ia ka arritur të përfundojë një cikël të plotë të drejtimit teknik të ecurisë dhe formimit të një skuadre të vetme shqiptare, çka e pakta kërkon një trevjeçar pa u shkarkuar. E kemi cenuar dhe shpërdoruar jo pak figurën e trajnerit të sotëm të skuadrave tona të futbollit”.

*Opinioni është marrë me disa shkurtime nga gazeta “Panorama Sport”