Në fillimin e viteve 2000, Suad Lici do të ishte një ndër lojtarët e rrallë që transferohej në kampionatin shqiptar, duke kaluar nga Vllaznia te Tirana, për t;u kthyer shpejt në një prej idhujve të tifozerisë bardheblu. Tre tituj kampion dhe 2 Superkupa ishin trofetë që ai fitoi në 2 sezone me Tiranën në periudhën e artë, por në një rrëfim për RTSH ka treguar se asokohe derbi kishte më shumë rëndësi se kampionati.

“Ka qenë një kënaqësi e madhe që e kam shijuar këtë derbi. Mendoj se kanë qenë javët më të vështira të karrierës sportive sepse presioni ishte shumë i madh dhe ishte detyrim ta fitoje. Gjithsesi, kam pasur fatin që të luaj me sportistë shumë të mirë që na kanë bërë më të lehtë fitore, barazime e humbje.

Karakteristika ishte se duhej të fitoje derbin, nuk kishte rëndësi kampionati por vetëm derbin të fitoje dhe Tirana mjaftohej me kaq”, tha Lici.

Sipas tij, në situatën aktualë më në formë është Partizani, por nëse Tirana e menaxhon mirë derbin, mund të dalë me pikë nga stadiumi në duelin e të premtes.

“Partizani ka një gjendje të mirë, vitin e kaluar është me avantazhin se është kampioni në fuqi dhe këtë sezon po bën mirë. Për sa kohë është në krye të klasifikimit mendoj që gjërat kanë shkuar mirë për Partizanin. Duke parë investimet që ka bërë presidenti Halili dhe pozicionin, Tirana nuk është aspak komod.

Por Partizani është nën presionin e pikëve dhe po ta menaxhojë mirë, Tirana nuk do të dalë pa pikë në këtë derbi. Mendoj se rezultati i këtij derbi do të jetë barazim”, tregoi Lici. /vipsport/