Shefi i sektorit të garave në FSHF Marjus Sulejmani, ishte i ftuari i radhës në emisionin “SportZone” në MCN TV. Ai preku disa tema nga kampionati shqiptar, duke thënë se ky i këtij sezoni është kampionati më i fortë dhe më i bukur. Më tej ai foli për VAR, për të cilin tha se ka ndikuar pozitivisht në Abissnet Superiore.

Në lidhje me situatën e stadiumeve, ku shumë skuadra nuk luajnë në shtëpinë e tyre, Sulejmani tha se brenda janarit do të jetë zgjidhur gjithçka. Në fund ai theksoi se policia duhet të jetë prezente në stadiume, ndërsa zbuloi se në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm do të jenë 14 skuadra.

“Këtë sezon është kampionati më i fortë dhe më i bukur. U pa edhe vjet ku titulli u vendos në javën e fundit. Shpresoj që këtë sezon të kemi më shumë skuadra për titull.

Kujdesi është maksimal, pasi të gjitha ndeshjet transmetohen live. I kemi bërë që të kemi 2 ndeshje në ditë ose 3 në ditë.

Federata ka investuar në stadiumin e Kukësit, në Durrës dhe në stadiumin e Partizanit. Kjo ndodh sepse ekipet nuk kanë stadiumet e tyre dhe Federata ka vendosur që disa ndeshje të luhen në Air Albania dhe në Elbasan Arena.

Mendoj se brenda janarit kjo situatë do të rregullohet. Stadiumi i Kukësit është thuajse gati. Kushtet e fushës nuk ishin optimale, që aty të luhej Kukësi-Partizani.

Akuzat për arbitrimin? Sistemi VAR është vendosur këtë vit dhe në kohë rekord. Çdo gjë ka gabimet e veta, por gabimet njerëzore janë eliminuar. Nuk ushtrohet më presion të arbitrat. Para fillimit të sezonit trajnerët dhe kapitenët, kanë qenë prezente ku iu është bërë e ditur si përdoret VAR.

Pamjet e VAR janë dhënë, por jo çdo pamje duhet të jepet në transmetim. Mundohemi që gjithmonë të japim pamjet kryesore. Komunikim ka pasur gjithmonë. VAR ka qenë në ccdo ndeshje vendimtar thuajse.

Të gjithë arbitrat vlerësohen nga vëzhguesi i ndeshjes. Në vendim Komiteti kemi që VAR mund të aplikohet në Kupë si dhe në ndeshje të veçanta në Kategorinë e Parë.

Këtë vit, nuk kemi asnjë kërkesë se ekipe të caktuara mund të mos duan arbitra të caktuar në ndeshje. Kjo do të thotë se VAR ka funksionuar shumë mirë.

Ndeshje të dyshuara për trukim? Me aq sa jam informuar, deri në këto momente nuk kemi asnjë informacion për trukim.

Në stadiumin “Air Albania”, janë dëmtuar stolat, janë hedhur flakadanë nga tifozë dhe policia nuk ka ndërhyrë të bëjë arrestime. Ne e kemi kërkuar këtë gjë, që të arrestohen përgjegjësit. Ligji e thotë qartë. Në raste policia duhet të ndërhyjë për të mos pasur probleme. Deri tani ka qenë inekzistente. Uroj që në derbin Partizani-Tirana, policia të jetë prezente. Ne nuk bëhemi pengesë nëse kërkohet stadiumi plot.

Sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë do të kemi 14 skuadra, ndryshe nga 16 skuadra që janë këtë sezon.”, deklaroi Sulejmani.