Superliga ka mbyllur 4 javët e para të aktivitetit të saj për sezonin 2020-21. Tashmë liga më lartë e futbollit tonë do jetë pushim për rreth dy javë për shkak të impenjimeve të kombëtareve. E tashmë pas 4 ndeshjeve të para për secilën skuadër, kemi edhe disa statistika shumë interesante të Superligës.
Kështu sulmi më i mirë i 4 javëve të para është ai i Kukësit me 10 gola të shënuar, pas tyre vjen Tirana me 8 gola dhe plotëson podiumin Vllaznia me 7 gola në favorin e tyre.
Golashënuesit më të mirë të Superligës për momentin na vijnë nga vendet e Ballkanit. Malazezi Zarubica i Laçit ka tundur 4 herë rrjetën këtë sezon, pas tij vjen kroati Baśa i Kukësit me 3 gola dhe plotësojnë podiumin brazilianët Da Silva (Vllaznia) dhe Pedro (Egnatia) po me nga 3 gola.
Ekipi me mbrojtjen më të mirë pas 4 raundeve të para është Dinamo. “Nëndetësja” blu ka pësuar vetëm 2 gola, e pas tyre renditet Teuta me 3 gola të pësuar duke treguar edhe njëherë stabilitetin e sezonit të kaluar në prapavijë. E ndërsa dyshja tjetër e kryeqytetit Tirana dhe Partizani kanë pasur kundër tyre nga 4 gola.
Nëse Kukësi është ekipi që ka shënuar më shumë, është edhe ndër ata ekipe që ka pësuar edhe më tepër. Verilindorët janë goditur plot 7 herë nga kundërshtarët këtë sezon. Por, mbrotja më e dobët deri më tani është ajo e Laçit me 10 gola të pësuar, e pasur nga ajo e Kastriotit me 8 të tillë.
Këto janë edhe disa nga statistikat e këtij fillim sezoni. Ku pas pushimit të ekipeve, shpresohet në një pasurim shifrash gjatë vijimit të kampionatit.
Endri ÇINARI