Nga Maringlen ZHIVANI
Kombëtarja Shqiptare U-19 vijon grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore që do të zhvillohen kundër bashkëmoshatarëve të Irlandës. Trajneri Julian Ahmataj ka përzgjedhur 21 futbollistë për këto dy takime, që do të luhen më datat 10 dhe 12 tetor, në orën 11:00.
Fillimisht, ndeshjet ishin planifikuar të zhvilloheshin në stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnjë, por me marrëveshje mes palëve është vendosur që ndeshja e parë të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, ndërsa ajo e dytë do të zhvillohet në stadiumin e Luzit.
Këto miqësore janë një test i rëndësishëm për kuqezinjtë para nisjes së kualifikueseve të Kampionatit Europian U-19, që do të luhen muajin e ardhshëm. Për stafin teknik, sfidat ndaj Irlandës do të shërbejnë për të vlerësuar formën e lojtarëve dhe për të finalizuar listën përfundimtare me 21 futbollistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në raundin e parë kualifikues.
Në mesin e të grumbulluarve ndodhet edhe sulmuesi i talentuar i Vllaznisë, Xhesild Kapllanaj. Ftesa për 18-vjeçarin është një vlerësim i merituar për paraqitjet e tij të mira me ekipin shkodran, ku ai ka spikatur. Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa Vllaznia vazhdon të prodhojë talente që gjejnë vend në ekipet kombëtare.(www.shkodrasport.com)