Super Liga po përpiqet që të ftojë sa më shumë ekipe në përbërje të saj në mënyrë që të krijojë një garë sa më kompetitive.

Sipas mediave në Itali, mbrëmjen e djeshme banka JP Morgan e cila merret me financimin e Super Ligës u ka dërguar një ftesë edhe dy klubeve të Serisë A, Romës dhe Napolit.

Përgjigja nga të dyja klubet ka qenë menjëherë ‘’Jo’’, teksa ka pasur reagime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Presidenti i Napolit, De Laurentis, postoi në ‘’Twitter’’ një status ku shkruhej ‘’Cila JP? Natën e kaluar po flija’’, duke ju referuar faktit se ftesa nga banka financuese e Ligës së re i ishte dërguar në orët e vona.

Një përgjigje ka dhënë dhe skuadra e Romës e cila u tregua me e rezervuar dhe e argumentoi refuzimin e saj.

‘’AS Roma është fuqimisht kundër këtij modeli të mbyllur kompeticioni, sepse është në kontrast të plotë me frymën e lojës që të gjithë duam. Disa gjëra janë më të rëndësishme se paratë dhe ne mbetemi absolutisht të përkushtuar ndaj futbollit italian dhe garave evropiane të hapura për të gjitha.

Ne shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me Federatën Italiane, ECA dhe UEFA për të rritur dhe zhvilluar lojën e futbollit në Itali dhe në të gjithë botën. Tifozët dhe futbolli janë në zemër të sportit tonë dhe kjo nuk duhet të harrohet kurrë’’, shkruhej në deklaratën e kryeqytetasve.