✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Vllaznia “B” ka qenë shumë pranë fitores në ndeshjen e rëndësishme të kampionatit të kategorisë së tretë ndaj Dinamo “B”, por një gol i shkodranit të bluve Skënder Meta në minutën e 94-të ka bërë që gjithçka të mbyllej në shifrat e barabarta 1-1.
Një ndeshje shumë e fortë dhe e rivalizuar nga të dy ekipet që e kishin vlerësuar maksimalisht atë. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve të krijuara është mbyllur në shifrat e barabarta 0-0.
Krejt ndryshe në pjesën e dytë dhe protagonist fillimisht do të ishte mesfushori Ensar Tafili që do të realizonte një supergol në minutën e 47-të. Ai do të merrte një top shumë pranë mesit të fushës, do të avanconte përpara duke shmangur dy-tre kundërshtarë dhe më pas nga një distancë prej rreth 20 metrash do të shkarkonte të djathtën e tij.
Topi, pavarësisht përpjekjeve të portierit Tomas Kiri, do të përfundonte në trekëndësh sepse mënyra si e mori trajektoren ai nuk kishte se çfarë t’i bënte askush. Në minutat e mbetura, Vllaznia “B” u mundua të administronte këtë avantazh dhe madje ishte shumë pranë golit të dytë por gjuajtja e Kubazit përfundoi në traversë.
Ndërkohë në 4 minutat e shtesës, Dinamo “B” do të fitonte një goditje dënimi në krahun e djathtë të sulmit të saj dhe topi shkon në zonë, aty ku mbrojtësi shkodran i miqve Skënder Meta do të godiste saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë.
Përfundimisht 1-1 dhe Dinamo B me një ndeshje më shumë kryeson renditjen me 13 pikë, ndërkohë që Vllaznia “B” me 10 pikë ndodhet në vendin e tretë të renditjes. Gara për kreun duket se do të jetë e fortë deri në fund të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







