Vllaznia do zbresë ditën e mërkurë në fushë, në kuadër të ndeshjes së Superkupës përballë Tiranës. Shkodranët kthehen nga pushimet pikërisht nga ndeshja e fundit në kampionat kundër bardhebluve, ku gjithçka përfundoi në shifrat 0-0, në javën e 12-të çdo gjë u nda në paqe mes fituesve të kupës dhe kampionatit.
E ndërkohë tashmë të mërkurën në orën 19:00 te dy ekipet do jenë përballë ndoshta për të përcaktuar dominuesin e edicionit në futbollin shqiptar. Por ndeshja e Superkupës nuk do vlejë vetëm një trofe apo edhe supermacinë ndaj kundërshtarit të përjetshëm, por është edhe një provë gjenerale para takimeve zyrtare që do jenë në dhjetor.
Kjo pasi Superliga do e vijojë aktivitetin edhe pas ndeshjes së Superkupës, ku ekipet do jenë aktive deri në fundin e dhjetorit. Kuqeblutë do kenë një grumbull ndeshjesh që do tregojnë forcat reale të ekipit të Joses dhe që me të vërtetë do tregojnë nëse skuadra do jetë në garë për titullin kampion edhe në vijimin e edicionit.
Vllaznia do luajë në fillim me Tiranën për Superkupën, e ndërsa do presë më pas në ‘Loro Boriçi’ ekipin e Egnatias për Superioren. Transferta ndaj Kastriotit, ndeshja në shtëpi përballë Teutës dhe takimi i fundit në kryeqytet përballë Partizanit, do mbyllë këtë vit për 9 herë kampionët e vendit. P
ra Superkupa do jetë edhe një lloj prove për të shikuar edhe formën e ekipit pas pushimit të kampionatit dhe forcën që mund të shfaqë në ndeshjet e ardhshme.
Endri ÇINARI