Nga Endri ÇINARI

Java e 12-të e Superiores së futbollit u hap ditën e djeshme me takimin Erzeni-Egnatia. Mes një 90 minutëshi plot garë dhe nerva, në fund triumfuan rrogozhinasit me rezultatin 0-1. Duke iu falur një goli të Zejnullait që i mban në vendin e parë, skuadrën e drejtuar nga Tetova.

Por aktiviteti dhe java vijon edhe ditën e sotme me 3 duele të tjera interesante. Kështu në orën 13:30, do ketë një përballje direkte për mbijetesën këtë vit në Superiore. Kukësi do presë Dinamon, me dy ekipet që pak a shumë gëzojnë formë të njëjtë. Në orën 17:00 do jetë rradha e Tiranës për të zbritur në fushë.

Bardheblutë udhëtojnë drejt Korçës për tu përballur me vendasit e Skënderbeut. Dy ekipe me objektiva të kundërt, por pavarësisht kësaj sfida pritet të dhurojë emocione. Po ashtu në orën 17:00, në Durrës do luhet një ndeshje goxha e fortë. Ku vendasit e Teutës do presin Laçin, një duel që vitet e fundit ka prodhuar rivalitet.

Javën e 12-të të kampionatit do e mbyllë Vllaznia ditën e nesërme. Ku në orën 18:00, kuqeblutë do vizitojnë kryeqytetin për përballjen me Partizanin. Transfertë që në edicionet e shkuara ka qenë goxha e suksesshme për shkodranët.