Kanë mbetur edhe dy ndeshje në Superligë për tu mbyllur edhe aktiviteti futbollistik për këtë vit. Të gjithë skuadrat e kampionatit do përpiqen që ti bëjnë një mbyllje sa më mirë vitit. Kalendari në këto dy javë parashikon sfida “zjarri” ndërsa në letër skuadra e Laçit duket se ka kundërshtarët më të lehtë.
Kështu Vllaznia do ketë një duel në këtë javë në transfertë përballë Dinamos dhe do e mbyllë me Kukësin në “Loro Boriçi”. Dy sfida aspak të lehta për kuqeblutë që në këtë periudhë po kalojnë momentin e tyre më të mirë. Tirana po ashtu përveç ndeshjes kundër Teutës, do ketë edhe derbin me Partizanin.
Dy duele shumë të forta për kryesusesit që po ndiejnë nga pas afrimin e Kukësit dhe Vllaznisë. Nga ana e tyre Kukësi përpara se të mbyllë vitin kundër Vllaznisë, do ketë një ndeshje kundër Partizanit në këtë javë. Laçi në letër ka dy ndeshje të “lehta” ku do përballet me dy ekipet e fundit, Egnatia dhe Kastrioti.
Gjithashtu edhe fundi i tabelës do shfaqet interesant në këto javë ku spikat dueli i kësaj jave Skënderbeu-Kastrioti. Ndeshjet pritet të japin një rivalitet dhe një futboll të fortë në këto dy javë. Duele direkte si për titull, Europë apo edhe mbijetesë do e bëjnë fundin e vitit shumë interesant në Superligë.
Endri ÇINARI