Kategoria Superiore rikthehet sot sërish në fushë, këtë herë për të zhvilluar ndeshjet e javës së 8 të saj, që do të kulmojnë me përballjen Vllaznia-Partizani, e cila do të startojë në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Shkodranët janë skuadra surprizë e sezonit, pasi ndonëse me afrime të shumta dhe një trajner pa eksperiencë në futbollin shqiptar, po zhvillojnë lojëra të bukura dhe janë me meritë në krye të renditjes me 16 pikë të grumbulluara.

Kuqeblutë kanë sulmin më të mirë të kampionatit me plot 13 gola të shënuar, të cilën kanë për autorë futbollistë të ndryshëm por mbi të gjitha dyshen sulmuesi Dilaver-Dunga, me këtë të fundit që sot do të mungojë pasi është larguar për të plotësuar dokumentacionin.

Nga ana tjetër trajneri gjerman Thomas Brdaric do të ketë sërish në dispozicion dy nga futbollistët më të spikatur të javëve të para, brazilianin Da Silva dhe mesfushorin Arsid Kruja të cilët janë stërvitur rregullisht me skuadrën.

Përballë shkodranëve do të jetë skuadra që bashkë me Teutën ka pësuar më pak gola në këto 7 javë të para, vetëm dy të tillë. Trajneri Ilir Daja ka bërë një punë mjaft të mirë me “të kuqtë”, duke i kthyer soliditetin në prapavijë, por për të parë më lart ka nevojë për ca gola më tepër.

Një tjetër përballje mjaft interesante është ajo mes Teutës dhe Laçit, po në orën 16:45, në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, ku do të bëjë debutimin si trajneri i kurbinasve edhe trajneri I mirënjohur Shpëtim Duro.

Në fillim të edicionit, Teuta dhe Laçi, për forcën që treguan në merkato u shfaqën si pretendente kryesore në garën e titullit, por trofeu nuk fitohet në merkato dhe kolaudimi i skuadrës ka nevojë për kohë. Gjatë kësaj periudhë, Teuta ka mbetur e vetmja skuadër e pamposhtur në Superiore, por në krahun tjetër ka vetëm një fitore, diçka jo shumë e denjë për një skuadër që kërkon titullin.

Gjashtë barazimet e marra e kanë penalizuar deri diku Teutën në këto momente në garën për kreun, por në një sezon të gjatë diferencat aktuale nuk janë të pamundura për t’u zbutur. Problemi kryesor i ekipit është që shënon pak dhe përtej mbrojtjes më të mirë të kampionatit durrsakët kanë për momentin dhe sulmin më negativ bashkë me Bylisin.

Mbi të gjitha këtë javë do të gjejë përballë dhe një Laç të karikuar pas emërimit në stol të Shpëtim Duros, që do të përpiqet ta nisë me këmbën e mbarë te kurbinasit, që humbja me Tiranën në shtëpi i ka tronditur paksa. Kurbinasit i besuan një trajneri me përvojë përpara kësaj ndeshjeje dhe serinë prej 2 ndeshjeve pa fitore, bardhezinjtë do të përpiqen ta prishin pikërisht në “Niko Dovana”.

Kukësi Skënderbeu është një tjetër sfidë e javës së 8 që do të startojë në orën 16:45. Pak vite më parë kjo ishte një përballje për titull, ishte sfida kryesore e Superiores, por pas dënimit të korçarëve gjërat kanë ndryshuar dhe duket paksa e vështirë për diferencat që kanë edhe këtë vit në renditje, që të nxjerrësh një rivalitet nga ndeshja e sotme.

Kukësi pas vështirësive të fillim sezonit, ka rigjetur rrugën e duhur, trajnerin Gega, por ka marrë edhe vendin e dytë në renditje. Mbi të gjitha futbollistët kryesorë, sidomos Ibraimi i ardhur me shumë bujë, po mban peshën kryesore në ekip duke treguar cilësitë që e etiketuan si blerjen e sezonit në Superiore.

Në letër ndeshja me Skënderbeun duket e thjeshtë edhe për faktin se korçarët janë shumë larg viteve të shkuara. Humbja e fundit në Fier shfaqi dhe limite për “ujqërit e dëborës” që me shumë mundësi këtë vit do të luftojnë deri në fund për të siguruar qëndrimin dhe vështirë se do të kenë një kampionat të qetë. Me formën aktuale të Kukësit duket e pamundur marrja e rezultatit, por në futboll kurrë mos thuaj kurrë.

Më herët, në orën 13:45 Tirana do të presë Apoloninë në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku do të kërkojë fitoren e radhës për vazhdimësinë. Pas një humbjeje e tre barazimesh radhazi, bardheblutë festuan fitoren e parë me Deden në pankinë dhe e bënë këtë në një transfertë si ajo ndaj Laçit me rezultatin minimal 0-1, ndërsa ndaj fierakëve kanë nevojë për një tjetër 3-pikësh, që të rikuperojnë distancën me kreun.

Po në orën 13:45 do të zhvillohet edhe përballja Bylis-Kastrioti, një ndeshje mjaft e vështirë, që sheh përballë dy skuadra fushe, të cilat luajnë një futboll agresiv, ndonëse mallakastriotët nuk e kanë nisur aspak mirë sezonin.

Kastrioti ka bërë mirë në javët e para, por pikërisht këtë mesjavë pësoi humbjen e parë dhe me rezultatin e thellë 0-3 përballë Vllaznisë në Kamëz, ndërsa ballshiotët do të kërkojnë fitoren e parë, pasi deri tani kanë marrë vetëm 4 pikë në 4 barazime e 3 humbje.