Luftëtari ka fituar një sfidë jo pak të lehtë ndaj Partizanit në javën e 15-të Superligës. Përballja mes dy ekipeve pritej të ishte e luftuar nga të dy ekipet, por në fund kanë triumfuar vendasit, që kanë marrë një rezultat surprizë kundër Partizanit. Luftëtari kërkon të surprizojë Partizanin që në minutat e para të sfidës, madje në minutën e 7-të kërkon dhe një penallti, por arbitri nuk e sheh si të tillë. Këmbëngulës dhe më i qartë në lojën e tij, Luftëtari arrin të zhbllokojë rezultatin në minutën e 21-të të takimit.
Pas një rrëmuje brenda zonës së Partizanit, Bregu devijon një top të gjuajtur nga Rroca dhe rezultati është 1-0 për gjirokastritët. Ky gol i kap në befasi “demat e kuq” të cilët mundohen të reagojnë por sulmi ka probleme.
Asani dhe Bardhi edhe pse kombinohen në disa raste e kanë të pamundur të vendosin barazpeshën. Ndërkohë nga ana tjetër Luftëtari mban të njëjtin ritëm dhe mbron rezultatin. Bluzinjtë kanë një tjetër ritëm në këtë ndeshje, dhe dyshja Abazaj-Bregu funksionon në mënyrë perfekte. Në minutën e 37-të, Kristal Abazaj merr një top nga gjysmëfusha e tij dhe pasi kalon në mënyrë të shkëlqyer mbrojtësit e Partizanit përballë Alban Hoxhës godet dhe dyfishon për ekipin e tij. Partizani shkërrmoqet totalisht, kur vetëm dy minuta më vonë pëson dhe golin e tretë.Është Eduart Rroca ai që ndëshkon sërish të “kuqtë”. Pas një topi të ardhur nga mbrojtja “bluzi”, Rroca çan mes mbrojtjes dhe dërgon topin në rrjetën e Alban Hoxhës. Kështu mbyllet pjesa e parë e lojës. Fraksioni i dytë nuk sjell ndryshim në formacion, ndërsa “demat e kuq” kërkojnë që në minutat e para të ndryshojnë diçka por goli është shumë larg. Fili hidhet në fushën e lojës në vend të Kotobellit nga trajneri Starova në minutën 58-të të takimit. Dy minuta më vonë edhe Hasan Lika bën zëvendësimin e parë.
Në fushë futet Përgjini dhe del autori i golit të dytë, Kristal Abazaj. Luftëtari ndërkohë ka fituar një goditje nga këndi dhe pas ekzekutimit të saj topi ndodhet në rrëmujë në zonën e Partizanit.
Disa prekje të topit nga ana e lojtarëve gjirokastritë dhe më pas Lamçe shtyn topin drejt rrjetës duke e çuar rezultatin në 4-0 për ekipin e Luftëtarit. Të besuarit e Starovës nisin të reagojnë duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën e ekipit të Luftëtarit, që me avantazhin e thellë, tërhiqet disi në zonën e vet. Por edhe kjo tërheqje e vendasve nuk arrin të shfrytëzohet nga të “kuqtë” të cilët krijojnë disa mundësi por shpërdorojnë. Në minutën e 81-të është sërish Lamçja ai që ndëshkon të kuqtë, duke shënuar njëkohësisht dhe golin e 5-të sfidës. Me këtë humbje Partizani mbetet në vendin e gjashtë në renditje, ndërsa Luftëtari ngjitet duke lënë pas Teutën.
Ndërkohë në Vlorë u luajtën 45 minutat e mbetura të ndeshje Flamurtari- Laçi dhe ato nuk sollën ndryshim rezultati. Miqtë arritën të ruajnë avantazhin e krijuar një ditë më parë dhe përballë presionit të vendasve, ia kanë dalë duke marrë një trepikësh me shumë vlerë.