Alban Tafaj, ish-futbollist e trajner i Tiranës, është i bindur se bardheblutë do të kenë ende shansin e tyre për t’u bërë faktor në luftën për titull e për Europën. Në “Sport News Plus” ai theksoi se ekipi kishte bërë mirë deri tani dhe se do të kishte shansin për shkak se do të luante ndeshje direkte,mes të cilave edhe derbin, që mund t’i jepte përsëri mundësi të ngushtonte diferencën.
“Mendoj se momenti i Tiranës ishte kur fitoi me Teutën dhe solli besimin brenda grupit se kjo skuadër për Europë të paktën vlen. Ajo ndeshje ishte pikë kthese se bindi edhe në lojë, përveç rezultatit.
Te ndeshja e sotme, besoj se humbi dy pikë, edhe mund të fitonte me rastet që krijoi. Ishte një ndeshje me një rival të fortë, që luan për mbijetesë se çdo pikë është e çmuar për ta. Mendoj se janë mjaft të kënaqur me pikën që i morën.
Në minutat e parë nuk kishte as raste drejt portës por më pas kishte lojë strikte të paktën nga Tirana për të fituar ndeshjen. Matematika e lë gjithmonë të shpresojë, nuk është se ishte fundi i botës që doli me një pikë.
Ndeshje ka plot, aq më tepër që ka ndeshje direkte me Partizanin pas dy javësh, aty do të jetë pika nevralgjike e Tiranës nëse do të jetë në Europë dhe të shpresojë për pak më lart për titullin”, tha Tafaj. /vipsport/