Taip Piraniqi është aktualisht drejtues i një akademie futbolli në Shkodër, mirëpo në të shkuarën ka stërvitur lojtarë të Kombëtares si Elseid Hysaj apo edhe Sidrit Guri.

Në një analizë për “Panorama Sport”, ai e vë theksin te hapi cilësor që duhet të ndodhë me akademitë, teksa analizon edhe çfarë ndodh në Shkodër.

ELSEID HYSAJ

Piraniqi tregon hapat e parë të Elseid Hysajt në ekipet e moshave që kur ishte në Shqipëri. “Hysaj e ka nisur futbollin 8 vjeç dhe u stërvit për 6 vite në klubin privat ‘Shkodra’.

Ka qenë një djalë i imët dhe duke e pasur të atin emigrant në atë periudhë, ishte nëna e tij që kishte interes për ta regjistruar.

Ata janë me origjinë nga Reçi dhe shtëpia e tyre ndodhej përballë kompleksit “Zmijani”. Me kalimin e moshës, vihej re pasioni dhe përkushtimi i madh i Elseidit. I ati interesohej vazhdimisht.

Në moshën 12-vjeçare, djali po zhvillohej, me konstrukt të mirë edhe pse të imët. Ishte shumë i fuqishëm, por në parametrat teknik nuk kishte zhvillim të madh apo talent të lindur. I ati gjeti kontakte me një menaxher në Itali, Marko Pincola dhe kërkoi ta merrte në Firence.

Madje, në atë periudhë më ndihmonte edhe me bazë materiale, topa apo uniforma. I garantova përkushtimin dhe seriozitetin e djalit në stërvitje. Pas interesimit të menaxherit në fjalë, i ati më kërkoi punë të diferencuar dhe ashtu kam bërë deri kur u bë 14 vjeç që iku në Firence”, deklaron Piraniqi.

AKADEMITË SHQIPTARE

Referuar brezave që mungojnë, ish-trajneri i shkodranit, analizon çfarë ndodh në ditët e sotme. “Mungesa e elementëve vendës për Kombëtaren, doli në pah vetëm pasi u krijua përfaqësuesja e Kosovës. Kjo, sepse futbolli shqiptar nuk e kishte menduar në perspektivë këtë çështje dhe në realitet nuk kishte organizim të mirë me moshat.

Në realitet, vihej re masivitet dhe jo cilësi në nivelin e duhur: Së pari në terrene. Një trajner me një licencë, stërvit fëmijët edhe në një oborr shkolle për të mbledhur të ardhura. Ju them edhe që te “Reshit Rusi”, në një ditë stërviten të gjitha ekipet nga U-9 deri U-17 të akademisë Vllaznia, në një terren që është bërë i dëmshëm për fëmijët.

Një trajner apo akademi duhet të licencohet me terrenin e përshtatshëm. Sot, çdo ish-futbollist, vetëm se ka luajtur pak kohë, merr licencën dhe trajton fëmijë. Mua nuk më duket e mjaftueshme.

Ndryshe po të jetë dikush që ka luajtur 10 – 15 vite, apo është mjeshtër futbolli. Vllaznia, në zonën tonë, prej disa vitesh, nuk interesohet fare për elementët cilësorë që formohen në këtë zonë.

Dalin kampionë të rinjtë dhe paratërinjtë, sepse përballen vetëm me nivelet e dobëta të ekipeve private rajonale, 20 apo 30 të tilla. Këtë e vërteton që ekipet U-9 deri U-13 të Vllaznisë, nuk kanë rezultate. Jo vetëm kaq, por në moshën 15- vjeçare, Vllaznia rrëmben më të mirin e secilit ekip.

Ama bashkëpunimi është zero me trajnerët që i kanë rritur. Jam gati të punoj për Vllazninë, por jo të më shfrytëzojnë mua pa asnjë lloj marrëveshjeje. Jo vetëm kaq, por duhet që edhe 13 apo 15-vjeçarët, të luajnë në Shqipërinë të ndarë veri-jug dhe jo vetëm në futboll zonash”, deklaron Piraniqi rreth akademive.