Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, është detyruar që të udhëtojë vetë drejt Korçës që të kthejë normalitetin në radhët e klubit të tij, pas bojkotit që i bënë futbollistët stërvitjes ditën e martë.
Lojtarët kërkonin rrogat e prapambetura dhe deshën shpjegime nga klubi pse nuk po paguhen, duke detyruar numrin 1 që të shkojë vetë sot në stërvitje për t’u takuar me ta dhe për të kthyer qetësinë me premtimin se detyrimet e tyre do të shlyheshin të gjitha.
Për rreth 40 minuta, Takaj ka zhvilluar një mbledhje me lojtarët e tij, duke u bërë të qartë se këto probleme financiare ishin të kalueshme dhe brenda ditëve në vijim të gjithë do të paguheshin sipas detyrimeve që u kishte klubi.
Ai u ka kërkuar që të impenjoheshin maksimalisht në vijim dhe të evitonin situata të tilla nëse do të shfaqeshin përsëri, meqë klubi përballet me pasiguri financiare si shkak i dënimit të dhënë nga UEFA dhe zvogëlimi i mundësive për të siguruar të ardhura ekonomike.
Takaj u ka dhënë lojtarëve garanci për pagat e tyre deri në fund të edicionit aktual, duke bërë të qartë se të gjitha marrëveshjet do të respektoheshin, përtej këtyre vonesave.
Pas kësaj mbledhje, lojtarët kanë dalë rregullisht në stërvitje, duke vazhduar përgatitjet për ndeshjen e fundjavës në Superiore, në pritje që fjalët e Takajt të bëhen realitet dhe ata së shpejti të gjenin në llogaritë bankarë të tyre shumat e prapambetura që për disa futbollistë korrespondojnë me rrogat e gjysmës së vitit. /vipsport/