Dinamo u rikthye te rezultatet negative në kampionat dhe pas një barazimi në Durrës kundër Teutës, u mund në shtëpi nga Vllaznia. Shkodranët arritën të shënonin dy gola kundër “nëndetëses”, por rezultati mund të ishte edhe më i thellë nëse do të ishin më të saktë para portës lojtarët e Vllaznisë. Paraqitja e Dinamos ishte zhgënjyese, ku përtej humbjes, edhe loja që blutë kanë zhvilluar nuk ishte bindëse në krahasim me paraqitjet e bëra deri më tani nga skuadra e drejtuar nga Daja.
Në përfundim të ndeshjes, Daja shprehu pakënaqësi për merkaton e janarit, duke theksuar se në skuadër veç mungesave të shuma që kishte për shkak të dëmtimeve, shtoi se edhe në merkato duhet ndërhyrë në disa reparte. Por, kjo deklaratë e Dajës ka sjellë edhe tension në kampin blu dhe pakënaqësi për situatën.
MERKATOJA- Prej disa javësh, Ilir Daja ka kërkuar nga stafi drejtues që të ketë ndërhyrje në merkaton e janarit. Ai shpesh herë ka qenë i bindur se skuadra është e kompletuar dhe diçka të tillë e ka pranuar hapur para mediave dhe gjithmonë ka shtuar se sulmi duhet ndryshuar. Trajneri i bluve ishte i pakënaqur me golat e shënuar nga sulmi, duke përjashtuar rastin e Bregut teksa edhe Guindo ka luajtur shpesh herë i dëmtuar. Por, mbrëmjen e së hënë gjërat ndryshuan.
Pas ndeshjes, trajneri dinamovit u shpreh se në skuadër kishte shumë sulmuesa, nga të cilët gjashtë e nisën si titullarë e 3 të tjerë ishin në stolin rezervë të cilët u aktivizuan në pjesën e dytë. Veç tyre, në stol ishte edhe Usni Ismaili, mbrojtësi i afruar në verë nga skuadra e Vorës i cili gjithashtu mori minuta. Të tjerët ishin lojtarë nga akademia të cilët nuk kanë debutuar ende me fanellën ndërkohë që ishin edhe dy portierë, Kiri dhe Sali të cilët nuk u nevojitën në këtë takim. Por, situata në kampin blu është e çuditshme edhe me largimet e bëra deri më tani.
Gasama u shit në kampionatin turk për 200 mijë euro ndërkohë që me parametra zero u largua mesfushori Fjoart Jonuzi i cili në këtë moment, do të ishte shumë i vlefshëm për skuadrën e Dinamos. Aktualisht, te Dinamo po punojnë me merkaton dhe po tentojnë të afrojnë lojtarë të tjerë por edhe në këtë situatë ka sërish probleme.
Drejtuesit i kanë paraqitur Dajës profile të ndryshme lojtarësh dhe bëhet fjalë për lojtarë që mund të afrohen në këtë merkato pasi është e vështirë të gjenden të tjerë, por trajneri ka refuzuar të gjitha opsionet. Gjërat po bëhen çdo ditë e më të vështira duke parë edhe faktin se kemi hyrë në javën e fundit të merkatos dhe se pas 10 ditësh, skuadrat nuk do të kenë më mundësi që të bëjnë ndërhyrje në skuadra duke qenë se merkatoja mbyllet.


