Vllaznia ende nuk po gjen një zgjidhje konkrete për të përforcuar skuadrën. Futbollistët e huaj që drejtuesit e klubit po tentojnë të largojnë, ka bërë që të ketë probleme në ardhjen e lojtarëve të tjerë.

Emra si Uenderson, Emerson, Ristevski apo Kojakaro, të cilët kërkojnë paratë të paktën deri në shkurt, kanë bërë që drejtuesit e Vllaznisë të kenë një kufizim në zhvillimin e bisedave për merkaton.

Megjithatë, drejtuesit po tentojnë që të bëjnë disa afrime futbollistësh, edhe pse ende nuk ka diçka konkrete. Në fokus të stafit teknik sipas burimeve janë tre lojtarë të huaj, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, ndërsa mësohet se njëri është sulmues dhe dy të tjerët në repartin e mesfushës dhe mbrojtjes. Drejtuesit vazhdojnë bisedimet për të parë mundësinë e afrimit të këtyre futbollistëve për të zëvendësuar ata që do të largohen.

Po ashtu nuk përjashtohet mundësia edhe e afrimit të lojtarëve në kampionatin shqiptar. Për momentin bisedime konkrete ka pasur me lojtarët e Luftëtarit, Realdo Fili dhe Donald Rapo, por për këta të fundit Vllaznia duhet të fitojë duelin me Laçin, pasi edhe kurbinasit interesohen për t’i marrë.

Drejtuesit po zhvillojnë disa biseda, por ende nuk kanë arritur që të konkretizojnë diçka me këta futbollistë. Drejtori teknik, Engin Firat, prej kohësh nuk ka qenë në Shkodër, sepse ka qenë i angazhuar si trajner i kombëtares së Moldavisë. Megjithatë, bashkë me administratorin Suad Lici, po ideon gjithçka për të forcuar kuqeblutë.

Vllaznia e provoi edhe në verë duke sjellë 13 lojtarë në merkato dhe pjesa më e madhe e tyre nuk rezultuan efikasë. Kështu, frika për të dështuar sërish me lojtarët e merkatos së janarit është prezente te Vllaznia.

Në të njëjtën kohë shkodranët nuk kanë në dispozicion shuma të mëdha nga buxheti për të sjellë lojtarë cilësorë, aq më tepër në këtë periudhë. Klubit do t’i duhet që me një buxhet modest të manovrojë për ta plotësuar ekipin me lojtarët që nevojiten gjatë ditëve të janarit.