Pankina e Kukësit është një “minë me sahat”. Një trajner është gjatë gjithë kohës me “valixhe në duar” dhe mjafton një humbje apo ecuri jo e mirë për ta parë veten të shkarkuar apo të dorëhequr.

Kjo, për shkak të presionit, investimeve dhe objektivave që ka klubi verilindor, ku që nga sezoni i parë në elitë në 2012-2013 ka hyrë gjithnjë me synimin për të fituar titullin ose së paku të marrë pjesë në Kupat e Europës. I fundit që e mbylli para kohe aventurën e tij me blutë ishte Enkeleid Dobi, i cili rezistoi vetëm nëntë takime, duke dhënë në fund dorëheqjen pas humbjes me Teutën në shtëpi.

Në total, te Kukësi kanë drejtuar 23 trajnerë në periudha të ndryshme, në disa raste edhe rikthime, edhe pse kanë rezultuar të pasuksesshme, siç janë rastet e Cungut, Gjokës apo Gegës. Të shkarkuar dhe dorëhequr, në tetë sezone, Kukësi ka pasur dy ose tre trajnerë brenda një viti, me klubin që nuk është treguar i duruar me pankinat dhe rezultatet e dobëta, duke preferuar ndërrimin e tyre me shpresën se do të marrin rezultatet në fund.

TË PAPREKSHMIT – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim situatës me trajnerët e Kukësit në këto 11 vite në Superligë dhe bie në sy se vetëm tre teknikë ia kanë dalë të nisin dhe përfundojnë sezonin me këtë skuadër: Armando Cungu në vitin debutues, Ernest Gjoka në atë të titullit kampion dhe Diego Longo sezonin e kaluar. Në dy rastet e para qëndrimi i tyre nga fillimi deri në fund është përligjur me arritjen e objektivave.

Me Cungun morën pjesë për herë të parë në historinë e tyre në Europë dhe më pas kaluan katër ture në këtë kompeticion. Me Gjokën fituan titullin e vetëm në histori, duke plotësuar kështu një ëndërr të madhe të klubit dhe sportdashësve në qytet. I dështuar mund të konsiderohet qëndrimi i italianit Longo, sepse skuadra në fund nuk ia doli të marrë pjesë në kupat e Europës, për të dytin vit radhazi.

TË LARGUARIT – Për të nisur me “sagën” e trajnerëve që në sezonin e dytë, ku e drejtojnë tre. E nisin me Cungun, që qëndron nga viti i kaluar, pasohet nga Nexhi Shensoji dhe e mbyll Sulejman Starova. Sërish në sezonin 2018-2019 Kukësi e nis me Armando Cungun në pankinë, e pason Ramadan Ndreu dhe e mbyll Ernest Gjoka.

Në sezonin 2020-2021 Kukësi e nis sezonin me Gegën, e pason Hallaçi në emergjencë dhe e mbyll me Mirel Josën. E njëjta situatë edhe këtë vit, ku e nisi sërish me Gegën, e pasoi Dobi dhe aktualisht qëndron Hallaçi. Në katër raste të tjera sezonin e ka mbyllur me dy trajnerë, përkatësisht në 2014-2015, ku startoi kampionatin me Artim Shaqirin dhe e mbylli me Miodrag Radanoviç.

Për të vijuar në vitin pasardhës, ku u gradua Marcelo Troisi dhe sezonin e mbylli me Klodian Duro, duke marrë edhe kupën e parë në histori. Në sezonin 2017-2018, në pankinë është Mlladen Milinkoviç, por sezonin e përfundon me Peter Pakult. Në sezonin 2019-2020, Kukësi e nis me Shpëtim Duron në pankinë dhe e mbyll me Orges Shehin.