Shpëtim Duro është shumë pranë kthimit te skuadra e Laçit për të drejtuar kurbinasit në pjesën e mbetur të sezonit. Tekniku ka pranuar në “Sport News” në “News 24” se mund të ketë shpejt diçka të re në këtë drejtim, për t’u ulur përsëri në stolin e kurbinasve.
“Ky është profesioni i trajnerit. Më vjen keq se Mirelin e kam mik, po e njëjta situatë ka ndodhur para 7 muajsh kur ekipi ishte në nivele të larta historike. Këto janë gjëra që nuk na takojnë ne e janë probleme të klubit me trajnerët.
Të them të drejtën, për arsye të ndryshme pas Europë prisha bashkëpunimin me mirëkuptim me presidentin e Laçit. Por Laçi i sezonit të kaluar ishte skuadër që luftoi për titull deri në momentet e fundit dhe beri histori në Kupat e Europës, ishte skuadër që pati largime dhe në verë isha unë protagonisti i ndërtimit me shumë futbollistë të rinj.
Në dy muaj në verë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Nuk i dihet, ky është profesioni, ndoshta mund të ketë një bisedë. Por më duket se është si rikthim se janë po ato lojtarë e skuadër, megjithëse janë në një moment jo të mirë. Ky është profesioni i trajnerit.
Pozitat janë të mira duke pasur parasysh skuadrën. Por ndeshjet e shumta pa fitore kanë krijuar një problem psikologjik. Ndoshta kjo ka shtyrë drejtuesit të marrin një vendim të tillë. Pastaj është problem tjetër, shkon për mirë apo për keq, futbolli është i paparashikueshëm.
Objektivi minimal i Laçit është Europa. Unë e di mirë që objektvi këtë vit ishte titulli kampion se luftoi shumë vitin e kaluar dhe këtë vit ngritën stekën. Sigurisht kampionati mund të shkonte deri në fund për titull, por faza e tretë zhgënjeu në shumë aspekte.
Edicioni i kaluar ka qenë pozitiv, edhe pse nuk kishim shumë tifozë se ishte edhe pandemia. Nëse do të merrte ndonjë vendim klubi për të vazhduar punë, sigurisht… Puna e trajnerit është e çuditshme. Mireli bëri punë të mirë e pastaj nuk i eci puna, ashtu si edhe unë, që patëm sukses historik e pastaj u largova. Por nuk ka asgjë të ndarë me thikë, që shkova unë dhe do të bëhet nami. Futbolli është gjithmonë me surpriza”, tha Duro.