Koronavirusi ka ndalur futbollin në thuajse çdo cep të botës dhe pavarësisht zërave e ideve për kalendarë apo aktivitete që luhen gjatë verës, askush nuk e ka idenë se kur mund të shohim të luhen përsëri ndeshje futbolli në kampionatet kryesore, pa harruar këtu aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare që përfshijnë udhëtime.
Në Spanjë, La Liga po bën gjithçka për të mbajtur gjallë planin e vijimësisë së kampionatit për të mos pësuar një goditje shumë të rëndë financiare, por ka si kundërshtar kryesor Real Madrid.
Sipas të përditshmes “AS”, në klubin madrilen askush nuk ka ndër mend që të kthehet në fushën e lojës së shpejti. Zidan dhe ndihmësit e tij kishin përgatitur një plan stërvitor specifik për të mbajtur lojtarët në formë për sa kohë që në Spanjë nuk kishte përshkallëzim të situates.
Por përpjekjet janë zbehur nga dita në ditë, pasi Spanja sapo ka hyrë në fazën e nxehtë të pandemisë me Madridin një nga qytetet më të goditur, ndaj fundi i saj nuk dihet se kur do të vijë.
Si rrjedhojë, në klub është krijuar ideja e qartë se as që bëhet fjalë që të kthehen në fushë për këtë sezon. “Projekti i kthimit në fushë sot për sot nuk ekziston”, u shpreh një burim brenda klubit për të përditshmen spanjolle. “Nuk do të kthehemi të luajmë futboll deri sa të ketë një trajtim efektiv për sëmundjen ose një vaksinë”.
Sipas të njëjtit burim, ky ka qenë qendrimi edhe i klubve të tjera në mbledhjen e fundit që është bërë me La Liga, duke bërë të ditur se nuk do të rrezikohej jeta e futbollistëve dhe familjarëve të tyre pasi çdo infektim me COVID-19 pas rifillimit të kampionatit mund të kishte pasoja shumë të rënda pasi do të ishte përgjegjësi direkte e klubit. /vipsport/