Vllaznia barazoi 1-1 në miqësoren e djeshme ndaj Buduçnost, të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”. Shkodranët kaluan të parët në avantazh me anë të Antonio Delajt në minutën e 12-të, i cili duhet thënë se zhvilloi një ndeshje tepër pozitive.

Në fakt, duhet thënë se kuqeblutë kanë luajtur në pjesën e parë me formacionin e tyre të dytë, ndërsa në pjesën e dytë kanë aktivizuar edhe futbollistë të Akademisë. Natyrisht që, ata që ranë në sy me paraqitjen e tyre në miqësoren ndaj Buduçnostit, ishin padyshim mesfushori Antonio Delaj dhe mbrojtësi Flori Spahija.

Si Delaj, ashtu edhe Spahija, konsiderohen si dy nga të rinjtë më me përspektivë të klubit Vllaznia dhe shpresohet shumë tek ta. Një gjë e tillë nuk është vetëm mendimi i tifozërisë apo edhe e medias sportive, por kjo dyshe ka marrë vlerësimet maksimale nga trajnerët dhe specialistët e Akademisë së Futbollit Vllaznia prej disa vitesh tashmë.

Poashtu, kjo dyshe ishin ndër protagonistët kryesorë të shpalljes kampion kombëtar me ekipin U-21, nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori, i cili tashmë është në rolin e drejtorit sportiv tek Vllaznia. Paraqitjet e tyre kanë ndikuar që stafi teknik i ekipit të parë, me në krye trajnerin Migen Memelli, ta pikasë Antonio Delajn dhe Flori Spahijën për t’i bërë pjesë të formacionit të ekipit të parë, ashtu siç ndodhi edhe mbrëmjen e djeshme në miqësoren ndaj Buduçnostit, por edhe në Belfast me aktivizimin e mbrojtësit.

Natyrisht që, ëndrra e tyre është të jenë si titullarë në fushën e lojës, por një gjë e tillë ka ende shumë punë për t’u realizuar. Gjithsesi, paraqitja e Antonio Delajt dhe Flori Spahijës në miqësoren ndaj Buduçnostit, duhet të jetë një nxitje dhe motivim më tepër për ta për të bërë edhe më mirë në vazhdim.

Ndoshta, duke nisur që nga ky sezon, Delaj dhe Spahija do të kenë mundësitë e tyre të aktivizimit me skuadrën e parë të Vllaznisë dhe natyrisht që, iu del për detyrë ta bindin edhe më shumë trajnerin Memelli për t’i pasur në vëmendje për ekipin e parë kuqeblu.
Maringlen ZHIVANI